Dhjetëra të plagosur nëpër spitale në Napoli

Nata e Vitit të Ri 2022 u prit me pamje lufte në disa qytete italiane pavarësisht urdhrave qeveritare për të ndalur festimet individuale sipas masave qeveritare në fuqi ndaj përhapjes së koronavirusit. Njerëzit u mblodhën nëpër sheshe pavarësisht urdhrave të policisë për të ndaluar grumbullimet publike. Kronika e mbrëmjes së ndërrimit të viteve ka regjistruar dhjetëra të plagosur si pasojë e hedhjes së pakontrolluar nga qytetarët të fishekzjarreve, kapsollave e mjeteve të tjera shpërthyese. Një 40-vjeçar në Taranto ka humbur dorën, ndërsa një i ri u plagos rëndë në Ascoli dhe ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën. Në Napoli, një burrë u godit nga një plumb qorr. Në rajonin e Campanias janë regjistruar 14 të plagosur, mes tyre një burrë që humbi njërin sy.

Janë regjistruar rreth 558 ndërhyrje nga zjarrfikësit për zjarret që i atribuohen festimeve të Vitit të Ri, me një rritje në krahasim me vitin e kaluar, kur ishin 229. Një burrë, me banim në lagjen Tamburi të Tarantos, pësoi lëndime shumë të rënda në dorën e djathtë, e cila u copëtua në disa pjesë, për shkak të shpërthimit të fishekzjarreve në momentin që ato do të shpërthenin. Pas trajtimeve të para, një ambulancë ai është transferuar me urgjencën e spitalit të Barit, ku mjekët po mundohen të kryejnë rikonstruksionin e pjesshëm te gjymtyrëve.

Mbrëmjen e 31 dhjetorit, një 40-vjeçar nga Sri Lanka u trajtua në spitalin Vecchio Pellegrini në Napoli për një plagë me armë zjarri në anën e majtë të gjoksit. Burri, i vetëdijshëm dhe jo në rrezik për jetën, i tha personelit shëndetësor se pak më parë, pasi doli nga shtëpia e tij në lagjen Montecalvario për të pirë një cigare, dëgjoi një zhurmë të madhe dhe ndjeu një djegie në gjoks.

Shpërthime të pakontrolluara pati edhe në Romë e Milano, por pa ndonjë të plagosur rëndë. Festimet me fishekzjarre ishin të përqendruara në periferi. Në Romë, fishekzjarre u hodhën mbi pasagjerët e Metro B dhe mbi kalimtarët në hyrje të stacionit të Koloseut. Dëme nga hedhja e pakontrolluar e lëndëve shpërthyese ka patur edhe në djegie banesash në disa zona të Italisë.

Klan News