Kombëtarja Shqiptare vijon përgatitjet intensive për të qenë gati në takimin debutues të Euro2024 kundër Italisë. Kuqezinjtë u stërviten maksimalisht pasditen e së martës, me trajnerin Sylvinho që zgjodhi vetëm një seancë për të testuar futbollistët.
Një seancë e cila kishte në program stërvitje në palestër dhe më pas kontaktin me topin në fushën e lojës për lojtarët në dispozicion të trajnerit brazilian. I gjithë grupi i futbollistëve gëzon gjendje fizike të mirë, duke qenë një shtysë e madhe për të motivuar skuadrën në prag të takimit të kësaj të shtune.
Përballje që për trajnerin Sylvinho dhe Kombëtaren tonë do të jetë tepër e rëndësishme për vazhdimësinë. Më 15 Qershor, kuqezinjtë sfidohen me kampionët në fuqi të kontinentit, 90 minutësh i vlefshëm për llogaritë e grupit B, duel që do të luhet në Signal Iduna Park të Dortmundit, duke nisur nga ora 21:00 dhe do të transmetohet ekskluzivisht ashtu siç i gjithë kampionati Europian në ekranin e TV KLAN.
Klan News