Deputeti gjerman, Gernot Erler mendon se bullgarët kanë përfituar nga politikat proeuropiane të qeverive të tyre. Sofja duhet ta vazhdojë këtë kurs.

Deutsche Welle: Zoti Erler çfarë prisni nga zgjedhjet parlamentare në Bullgari?

Gernot Erler: Shpresoj shumë që nga zgjedhjet të dalë një shans për të pasur sërish një qeveri stabël në Bullgari. Nuk është një periudhë e mirë politike në Bullgari, pas tre qeverish të ndërprera dhe të përkohshme në tre vitet e fundit. Ky është një rekord në Ballkan. Prandaj është e rëndësishme të kemi startimin e një periudhe të re, kur një qeveri e zgjedhur të qeverisë me sukses në katër vite.

Çfarë qeverie do të përshëndesnit pas zgjedhjeve?

Besoj se do duhet të jetë një qeveri koalicioni. Po të shikosh sondazhet, kemi një situatë pati mes dy partive të mëdha, Partisë Socialiste Bullgare, (BSP) dhe partisë qeverisëse, GERB të Boiko Borisovit. Kjo është një sfidë, se deri më tani të dyja palët kanë refuzuar të bëjnë koalicion. Nuk duhet që në një demokraci partitë të thonë: “Jo, në asnjë rast nuk bëjmë koalicion!”

Spekulohet shumë për orientimin që do të marrë politika e jashtme bullgare nën një qeveri të re. Po ashtu flitet për rritjen e ndikimit të Moskës në politikën bullgare. Çfarë prisni në këtë drejtim?

Jam shumë i gëzuar që mbështetja e BE në Bullgari është tek më të lartat në rajon. Besoj po ashtu, se bullgarët kanë përfituar nga politikat proeuropiane të qeverive të tyre. Kjo duhet të vazhdojë pa dyshim. Bullgaria është një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon dhe përpiqet për fqinjësi të mirë me vendet përreth. Duke qenë se në pjesë të tjerë të Ballkanit Perëndimor aktualisht kemi probleme të mëdha, mund të jetë shumë e rëndësishme performanca e Bullgarisë, se sa e aftë është për të vazhduar të transmetojë dhe forcojë idenë europiane.

Cilat janë problemet më të rëndësishme që duhet të zgjidh

ë

qeveria bullgare?

Për fat të keq qëndron ende e njëjta gjë në plan të parë: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vazhdimi i reformës në drejtësi, në të njëjtën kohë Bullgaria duhet të fitojë më shumë besimin në ekonomi. Vitin e kaluar investimet e huaja kanë rënë 60%. Kjo është një shenjë, që tregjet europiane nuk kanë besim të plotë tek Bullgaria. Kështu mendojnë edhe përfaqësues nga ekonomia në Bullgari. Rikthimi i besimit është shumë i rëndësishëm.

Disa parti politike e politikanë në Bullgari përpiqen të instrumentalizojnë për fushatë zgjedhore rrezikun e refugjatëve nga Turqia dhe përzierjen e Turqisë në politikën e brendshme bullgare. Si mendoni për këtë?

Vërtet që kemi vënë re përzierje të tilla. Ambasadori turk në Sofje për shembull ka marrë pjesë në një aktivitet zgjedhor të partisë turke në Bullgari (Dost), që është e afërt me Erdoganin. Prandaj ai me të drejtë është thirrur, sepse kjo u pa si përzierje në punët e Bullgarisë. E kuptoj palën bullgare, sidomos pas rekomandimeve të qarta të Ankarasë drejtuar popullsisë turke në Bullgari, se çfarë zgjedhjeje duhet të bëjnë ata. Kjo është shumë pranë një ndërhyrjeje nga jashtë. Që kjo nuk lejohet, e kuptoj. Por nuk i kuptoj nacionalistët bullgarë në kufi,që përpiqen t‘u ndalojnë hyrjen turqve bullgarë të çregjistruar (ose bullgarëve turq), të cilët para vitit 1989 u larguan nga Bullgaria komuniste. Kjo nuk është konform ligjit. Ndërsa përsa u përket refugjatëve, kjo temë nuk duhet instrumentalizuar për fushatë. Kemi rreth 4500 refugjatë në Bullgari. Po ta krahasosh me vende të tjera, kjo është një sfidë që mund të përballohet. 

*Gernot Erler është deputet socialdemokrat i Bundestagut, nga viti 2005-2009 ai ka qenë ministër Shteti në Ministrinë e Jashtme Gjermane. Nga viti 2014 i ngarkuar i qeverisë gjermane për Rusinë. Erler është president i Shoqatës së Europës Juglindore dhe kryetar i Forumit  Gjermano-Bullgar.