Në prag të ndërrimit të viteve banorët i Librazhdit po ndjejnë një rritje të çmimeve në produktet ushqimore. Më të vështirë për të kaluar një natë me ushqim të bollshëm dhe të mirë e kanë të papunët. Në disa pika shumice, këta qytetarë kanë marrë ushqime me listë për të festuar Vitin e Ri.

Por edhe qytetarët e tjerë të Librazhdit kanë filluar të përgatisin tryezën dhe të konsumojnë shumë më tepër seç kanë kursyer për këtë fundvit. Mbi 300 fëmijë të shoqatës së jetimëve në Elbasan kanë festuar Vitin e Ri.

Kryetari i shoqatës Bajram Avdyli në fjalën e tij me këtë rast, i ka kërkuar më shumë përkrahje shtetit me qëllim që edhe kjo pjesë e shoqërisë të eci me hapin e kohës. Në këtë festë merrte pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Hysen Domi.

Fëmijët jetim kishin përgatitur një koncert të larmishëm me rastin e kësaj dite. Për të gjithë fëmijët u shpërndanë edhe dhurata të ndryshme.

Edhe në burgun e Bënçës së Tepelenës është festuar Viti i Ri. 130 të burgosur të cilët ndodhen në këtë burg të sigurisë së lartë kanë qenë të pranishëm me një koncert të organizuar nga drejtoria e këtij burgu. Për t’i përshëndetur në këtë fundvit, kanë qenë edhe grupi i qytetit, Ali Pasha, humoristë dhe poetë.

Gjatë gjithë këtij viti nga drejtoria e këtij burgu janë organizuar dhe aktivitete të tjera artistike dhe sportive. E veçanta për këtë vit, është se çdo të burgosuri do t’i dhurohet nga një pako për të festuar Vitin e Ri./tvklan.al