Emisioni “Stop” në Tv Klan është ndalur në Shushicë të Elbasanit mbrëmjen e sotme, për të trajtuar një shqetësim të banorëve të atij komuniteti.

Qendra shëndetësore e Shushicës që funksionon si e tillë prej viteve ’70, do të rikonstruktohet dhe stafi është zhvendosur. Mjekët dhe banorët e Shushicës thonë se kjo qendër shëndetësore që do të rikonstruktohet është larg qendrës së fshatit dhe rruga është e prishur.

Ata kërkojnë që qendra shëndetësore të ngrihet në qendër të fshatit, aty ku ndodhet aktualisht pas zhvendosjes së stafit mjekësor për shkak të rikonstruksionit të godinës së vjetër.  

Momentalisht shërbimi mjekësor ofrohet tek ish-komuna, e cila ndodhet në qendër. Një prej mjekëve të kësaj qendre shëndetësore thotë se askush s’e mori parasysh kërkesën e stafit, edhe pse u bë një muaj rezistencë.

“Jam mjek i qendrës shëndetësore Shushicë prej 25 vitesh, njëkohësisht dhe banor i zonës. Problemi qëndron se rikonstruksioni i qendrës shëndetësore aktuale i bërë nga Ministria e Shëndetësisë këtë vit është bërë pa u konsultuar me ne si staf i qendrës shëndetësore. Ne si staf kemi kërkuar që qendra shëndetësore të bëhet në ish komunën e vjetër që ndodhet në qendër të fshatit dhe tek e cila krijon akses më të mirë në shërbimin ndaj banorëve, kurse kjo është në pozicion të pafavorshëm për fshatin për rreth 5 mijë banorë”.

Mjeke: Ne e kemi ngritur dhe më parë këtë gjë, që është një vend i papërshtatshëm për komunitetin. Jo vetëm për infrastrukturën, rrugën që nuk ka as nga të hysh e as nga të kthesh makinën, por edhe banorët janë larg nga farmacia, janë larg nga shërbimi i specializuar. Kryesisht vendndodhja është e papërshtatshme. Ne këtu në qendër mund ta kishim organizuar më mirë shërbimin shëndetësor në dy turne, edhe në mëngjes edhe në pasdite përsa i përket injeksioneve, sepse atje është një vend i izoluar dhe të hanë qentë e lagjes pas orës 5 pasdite. Edhe personeli e ka të frikshme të punojë në mënyrë të vetmuar atje. Kurse këtu është qendër, shërbimi taksi është afër, shërbimi farmaceutik është afër. Përsa i përket popullatës, kjo do të ishte më e përshtatshme për shërbimin. Kurse ne si personel do ta bëjmë punën kudo që të jemi. E kemi ngritur si problem, por s’na ka dëgjuar njeri.

Edhe banorët kërkojnë që qendra shëndetësore te jetë në qendër të Shushicës.

Banor: Më mirë bëhen këtu te qendra se i ke të gjitha.

Banore: Është më i favorshëm në qendër. E kemi larg. Kemi dhe fëmijë të vegjël.

Banore: Ta kishim këtu mirë do ishte se do ishim afër qendrës.

Banori: Më mirë të jetë këtu, është në qendër. Rruga është e pashtruar.

Gazetarja e emisionit “Stop” shkoi në Njësinë Administrative, ku na thonë se bashkia nuk ka asgjë në dorë, por ky vendim është në dorë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Administratori: Ajo s’varet nga unë njëherë, e para, nga drejtoria qëndrore që kanë këto, shërbimi parësor, si e kanë këto të shëndetësisë, nuk varet nga ne domethënë.  

Gazetarja: Domethënë institucionalisht, rikonstruktimi i këtyre nuk varet nga Bashkia?

Administratori : Jo, unë mesa di, mesa kam informacion, është investim nga Ministria e Shëndetësisë. Unë e di, që nuk është nga Bashkia, megjithatë ju mund të merrni informacion tek zyra jonë e informacionit. Ata t’ia drejtojnë drejtorisë së tyre, drejtoria të marri masat, të na kërkojë neve ambiente, atëherë unë i drejtohem Bashkisë. /tvklan.al