Juristi Plarent Ndreca thotë se audio-përgjimet e reja të publikuara nga Bild nuk përbëjnë asnjë përgjegjësi penale apo politike, por tregojnë vetëm një mungesë etike në komunikimin mes personave të përgjuar.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Ndreca tha se këto janë biseda normale mes miqsh, duke iu referuar audio-përgjimit të 3 të Robert Agës dhe Xhemal Qefalisë, e Saimir Tahirit e Ulsi Manjës.

“Nuk mund të them që kjo gjëja është e vërtetë, fare. Një organ që ne në Republikën e Shqipërisë kemi për ta provuar vërtetësinë si fakt është Prokuroria Shqiptare. Duhet të flasim mbi një gjë të vërtetuar si fakt, të cilën nuk e kemi. Nëse këto janë të vërteta, e vetmja gjë që unë shoh është një mungesë etike në një bisedë private. Dhe nga pikëpamja politike unë nuk e kuptoj këtu ku është përgjegjësia. Kjo është një bisedë private midis ca miqsh me sa kuptoj unë. Madje në informacionin që më vjen tani, ai është shok klase me Qefalinë. Kanë qenë në një klasë. Nga pikëpamja etike sigurisht që ka një problematikë. Por është një bisedë mes miqsh, ne mund ta bëmë gjithëkush nëpër tavolina. Është bisedë private mes njëri-tjetrit që mund të përdoren dhe këto lloj fjalësh, nuk përjashtohen sepse ne e bëjmë”, tha Ndreca. /tvklan.al