Në kohën që Autoriteti Rrugor ka prishur kontratën me kompaninë Serenissima, e cila ishte kontraktuar për të ndërtuar by Pass-in e Fierit dhe Vlorës, një raport i auditit të brendshëm shtetëror në Ministrinë e Financave bën përgjegjës edhe këtë institucion se nuk ka marrë masat në kohën e duhur ndaj shoqërisë italiane.

Serenissima Konstruksioni, thotë raporti, ka arkëtuar deri tani rreth 25 milion euro vetëm për by Pass-in e Vlorës dhe ka kryer 4% të punimeve, kur afati për përfundimin e tyre është drejt fundit. Auditi thekson se i vetmi paralajmërim për kompaninë Serenissima nga ana e organit përgjegjës për kontratën, ARRSH-së, është bërë në 13 Qershor të 2016-ës, moment i cili thotë raporti “

kishte kaluar rreth 50 % e kohës kontraktore dhe punimet në fakt rezultojnë në masën rreth 4 %

.”

Auditi shprehet se firma italiane është fajtore pasi nuk ka respektuar asnjë afat në zbatimin e kontratës dhe ka rrezikuar përfundimin në kohë të veprës, e cila që në nisje mbarte risk shumë të lartë. Autoriteti Rrugor e lidhi kontratën përpara se kuvendi të ratifikonte marrëveshjen e huasë me BERZH-in.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim i dha 80 milionë euro kredi të butë shtetit shqiptar për dy rrugët, por sot jo vetëm që By Pass -et janë braktisur, por firma ka lënë dhe një mal me borxhe në kompanitë nënkontraktore shqiptare, plot 17 milionë euro.

Tv Klan