Ky aeroport privat i braktisur i ndodhur mbi 200 kilometra në jug të Madridit, mund të shndërrohet në një qendër të madhe të pritjes së emigrantëve të jashtëligjshëm.

E inkurajuar nga marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë dhe thirrja e kryekomisioneres europiane Ursula von der Layen për gjetjen e zgjidhjeve inovative nën shembullin e suksesshëm të këtij pakti siç e quajti ajo, qeveria e Pedro Sançezit e sheh atë si mundësi për të frenuar dyndjet e emigrantëve të jashtëligjshëm.

Megjithatë, shndërrimi i ish-aeroportit ndërkombëtar të Ciudad Realit nuk ka asnjë lidhje me modelin e Shqipërisë. Në hapësirën prej 24 mijë metrash katrorë të terminalit dhe pistës 4 kilometra të gjatë, qeveria spanjolle ka në plan të strehojë mijëra emigrantë të jashtëligjshëm që kapen në brigjet jugore, të ardhur nga vendet e Afrikës dhe Azisë, gjatë procesit të vlerësimit të kërkesave të tyre të azilit.

Megjithatë, kryebashkiaku i Siudad Realit Fransisko Kanizar tha se ky plan i përngjan një kampi përqëndrimi që do të dështojë në ofrimin edhe të kushteve më minimale humanitare.

Tv Klan