Gjithçka e hapur në grupin D, ‘kangurët’ shpresojnë tek kualifikimi

Australia i dha fund pritjes 12-vjeçare për të fituar një sfidë në një Kupë Bote. Kombëtarja e “kangurëve” mposhti minimalisht 1-0 Tunizinë për ta bërë akoma dhe më interesante garën në grupin D të Katar 2022.

Australianët bënë autokritikë për atë humbje të thellë 4-1 kundër Francës, duke marrë një 3 pikësh me tepër vlera. Shanset ishin të pakta në radhët e kangurëve, gjithsesi në minutën e 23-të u treguan të saktë, duke thyer mbrojtjen kundërshtare dhe gjetur rrjetën.

Mitchell Duke devijoi saktë drejt portës një krosim nga e majta e sulmit, për të mposhtur portierin dhe dërguar në delir tifozët australianë në shkallët e stadiumit “Al Janoub”.

Në sytë e rreth 42 mijë tifozëve, Australia nisi të mendojë për të menaxhuar sfidën, teksa tunizianët u hodhën në sulm për të shmangur humbjen dhe mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm në turin tjetër.

Objektiv që nuk u arrit, pavarësisht tentativave të shumta, me tunizianët që tashmë numërojnë 1 pikë dhe mbajnë ende gjallë shpresat për kalimin më tej.

Australia tani do ta kthejë vëmendjen në ndeshjen e fundit në grup të mërkurën kundër Danimarkës. Ndërkohë, Tunizia është në prag të daljes nga Kupa e Botës dhe përballet me kampionët e botës në fuqi, Francën.

Klan News