Gjatë javës së ardhshme, në Australi mund të regjistrohet dita më e nxehtë pasi meteorologët kanë parashikuar një valë të nxehti që pritet të godasë vendin. Me shumë gjasa, temperaturat mund të kalojnë 40 gradë Celsius në shumë zona duke filluar nga e mërkura.

Rekordi i nxehtësisë në Australi është regjistruar më 2 Janar 1960 kur termometri shënoi 50.7 gradë Celsius. Shumë rajone të Australisë janë duke u përballur me zjarre të mëdha, ndërkohë që janë dhënë paralajmërime për përkeqësimin e tyre për shkak të valës së të nxehtit që pritet të “mbërthejë” vendin javën që vjen.

“Kemi parashikuar valë të të nxehtit ekstrem gjatë javës së ardhshme, me potencial për të shënuar temperatura rekord në disa zona të Australisë Jugore”, tha meteorologjia Diana Eadie.

Sipas parashikimeve, kjo valë e të nxehtit mund të bëjë që të shënohet rekord edhe përsa i përket temperaturës mesatare, që aktualisht është 40.3 gradë Celsius që prej 7 Janarit 2013.  /tvklan.al