Australia nuk po gjen qetësi nga zjarret. Situata paraqitet kritike në Canberra dhe në rajonet përreth saj ku dëmet janë të konsiderueshme. Autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në vend.

Më shumë se 35.000 hektarë janë djegur pasi zjarret dolën jashtë kontrollit. Sipas autoriteteve flakët janë përhapur në parkun kombëtar Namadgi, që ndodhet midis Canberras dhe New South Wales, ku aktualisht po kërcënon shtëpitë.

Deri tani është djegur 15% e sipërfaqes totale të territorit. Gjithashtu autostradat kryesore në Canberra janë mbyllur si pasojë e zjarreve. Dëme kanë pësuar edhe shtyllat elektrike duke lënë mijëra banorë pa energji.

Temperaturat e larta mbi 40 gradë po i përhapin në mënyrë të frikshme flakët. Mbi 1500 trupa zjarrfikës dhe disa avionë e helikopterë janë angazhuar për shuarjen e flakëve.

Autoritetet iu kanë bërë thirrje njerëzve që të shmangin lëvizjet në rrugë pasi mund të përballen me probleme respiratore ku më të rrezikuarit janë të moshuarit, fëmijët dhe gratë shtatzëna.

Që nga Shtatori i vitit që lamë pas, si pasojë e zjarreve kanë humbur jetën 33 persona, 500 milionë kafshë janë djegur dhe më mijëra shtëpi janë shkrumbuar plotësisht.

Sipas shkencëtarëve, Australia prej kohësh po përballet me ndryshime të shumta të motit, shkaktari kryesor i të cilit është ngrohja globale.

Tv Klan