Arabia Saudite mbetet favorite për organizimin e turneut në vitin 2034

Botërori i vitit 2034 pritet të zhvillohet në Arabinë Saudite. Shteti nga Lindja e Mesme ka mbetur e vetme në garë për organizimin e turneut më të rëndësishëm të futbollit, pas tërheqjes së Australisë.

Ka qenë FIFA ajo që ka forcuar pozitat e Arabisë Saudite për të pritur një kompeticion kaq të rëndësishëm, pasi zgjodhi kontinentin Aziatik ose Oqeaninë për të zhvilluar edicionin e pas 11 viteve.

Presidenti i Konfederatës Aziatike të Futbollit, organi drejtues kontinental i sportit të cilit i përket Australia, pranoi se “e gjithë familja e futbollit aziatik” do të qëndrojë e bashkuar në mbështetje të ofertës saudite.

Një javë pas ftesës së FIFA-s, Indonezia tha se ishte në diskutime me Australinë për një ofertë të mundshme të përbashkët së bashku me Malajzinë dhe Singaporin, gjithsesi, u tërhoqën dhe shfaqen hapur mbështetjen e Arabisë Saudite. Australia pretendon për të pritur Kupën e Azisë 2026 për vajza dhe Botërorin e vajzave 2029, çka duket se i ka shtyrë për tu tërhequr nga gara për Botërorin e meshkujve.

Zgjedhja e vendit organizator të Botërorit 2034 pritet të bëhet në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Botërori i vitit 2026 do të mbahet mes Kanadasë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës, teksa ai i 2030 mes Marokut, Portugalisë dhe Spanjës, duke shtuar gjithashtu ndeshjet e njëqindvjetorit të Kupës së Botës në Uruguaj, Argjentinë dhe Paraguaj.

Klan News