Qeveria austriake hedh poshtë spekulimet e mediave serbe se Vjena mund të ndryshojë qëndrim për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, pas deklaratës së zv/kancelarit Hainc Kristian Shtrahe se “Kosova është pjesë e Serbisë”. Dyshimet i ka shuar vetë Strahe, gjatë një deklarate për mediat para mbledhjes së qeverisë në Vjenë.

Heinz Christian Strache, zv/kancelar i Austrisë:

“Më duhet ta them qartë se qeveria austriake në 2008-ën ka njohur Pavarësinë e Kosovës dhe unë si zëvendës kancelar qëndroj në të njëjtën linjë me vendimin e qeverisë që përfaqësoj”.

Shtrahe sqaroi se në intervistën për mediat serbe javën e kaluar kishte dashur të përcillte mesazhin se zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të vijë nga dialogu mes të dyja palëve. Dhe pavarësisht se Austria e ka njohur pavarësinë e Kosovës, problem është mosnjohja nga 5 vende anëtare të Bashkimit Europian.

Qarte foli edhe kancelari austrian Sebastian Kurz, për të cilin njohja e pavarësisë së Kosovës është një çështje që nuk diskutohet më dhe këtë e kanë të qartë të gjithë anëtarët e qeverisë në Vjenë, përfshirë zv/kancelarin.