Kusht, certifikata shëndetësore që tregon se nuk janë me COVID-19

Karantina nuk do të kërkohet më për shumë vizitorë të huaj në Austri duke filluar nga e mërkura, sipas ministrit të Shëndetësisë, Wolfgang Mueckstein, me kusht që ata të kenë një certifikatë shëndetësore që tregon se nuk janë të infektuar me COVID-19.

“Numrat e infeksioneve po bien në shumë vende, prandaj ne mund të shpallim këto lehtësime të hyrjes paralelisht me hapat tanë për të hapur ekonominë”, tha ministri Mueckstein.

Për të shmangur karantinën, personat që hyjnë në Austri do të duhet të sigurojnë vërtetim të vaksinimit, ose një rezultat negativ të testit për COVID-19, ose të konfirmojnë se janë shëruar nga sëmundja. Gjithashtu, ata duhet të regjistrohen në mënyrë elektronike para mbërritjes.

Lehtësimi i masave vlen për mbërritjet nga Belgjika, Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Portugalia, Spanja dhe Zvicra.

Italia gjithashtu reduktoi shtetrrethimin e natës për shkak të rënies së normës së infeksionit dhe për aq sa është e mundur, planifikon ta përfundojë atë më 21 Qershor, deklaruan autoritetet bashkiake të Romës pas konsultimeve mes kryeministrit Mario Draghi dhe zyrtarëve të qeverisë.

Në të ashtuquajturat zona të verdha, ku ekziston një rrezik i moderuar i përhapjes së koronavirusit, ndalimi i qarkullimit do të reduktohet me vetëm një orë.

Roma zyrtare ofroi mundësinë për të hequr tërësisht shtetrrethimin nga 21 Qershori. Në Qershor, shumica e 20 rajoneve italiane do të shpallen zona të bardha, që do të thotë pothuajse asnjë kufizim. Italia ka lehtësuar gradualisht masat për javë të tëra, paralelisht me rënien e niveleve të infeksionit.

Klan News