Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Austri, Franz Ruf, ka dalë sot në një konferencë për shtyp lidhur me sulmin e javës së kaluar në Vjenë. Ai ka konfirmuar raportet se xhihadisti që vrau katër persona në sulmin terrorist, kishte mbajtur në verë një takim jo vetëm me njerëz nga Gjermania të cilët ishin nën hetime, por edhe me dy burra të tjerë që janë arrestuar në Zvicër pas sulmit që ndodhi në Vjenë.

“Një takim është zhvilluar në Vjenë midis xhihadistit dhe disa njerëzve nga Gjermania dhe Zvicra, të cilët tani janë të arrestuar”, u shpreh ai.

Arrestimet të shumta janë bërë pas sulmit, ndërkohë që Ministri i Brendshëm i vendit Karl Nehammer, ka thënë për gazetarët se policia austriake ka bërë 30 arrestime të tjera në më shumë se 60 bastisje sot në mëngjes. Arrestimet janë bërë si pjesë e një operacioni anti-terrorizëm, i cili nuk kishte një lidhje të drejtpërdrejtë me sulmin vdekjeprurës që ndodhi një javë më parë.

“Bastisjet e sotme ndodhën në apartamente, shtëpi, biznese dhe lokale të shoqatave në katër provinca austriake. Ato kishin në shënjestër njerëz të dyshuar për përkatësinë ose mbështetjen e lëvizjes islamike palestineze Hamas dhe Vëllazëria Myslimane,” tha Nehammer./tvklan.al