Një person ka gjetur vdekjen këtë të premte, pasi ambulanca në të cilën ndodhej doli nga rruga. Viktima është 42 – vjeçari, Afrim Dani.

Ai ndodhej në ambulancën e Burrelit sëbashku me nënën e tij 84 – vjeçare, të cilën po e shoqëronin për në spital. Sipas burimeve zyrtare, fillimisht ambulanca është përplasur lehtë me një makinë dhe më pas ka dalë nga rruga, duke u përplasur me një grumbull inertesh.

Nëna e viktimës nuk ka pësuar dëmtime dhe ndodhet aktualisht në spitalin e Shkodrës, për ku dhe ishin nisur.

Njoftimi i policisë: 

Më datë 01.12.2017, rreth orës 15:10 është marre njoftim se në Milot ka një aksident.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, që kanë konstatuar se Ambulanca e Burrelit me targa AA948DH, me drejtues shtetasin Q.B, ku brenda ka pasur drejtuesin e mjetit, një te sëmurë dhe një shtetas tjetër që shoqëronte të sëmurën, ka humbur kontrollin dhe për pasoje është përplasur lehtë me mjetin me targa BGA006 si dhe më pas ka dalë nga rruga duke u përplasur me një grumbull inertesh dheu.

Për pasojë është dëmtuar shoqëruesi i të sëmurës, shtetasi A.D. 42 vjeç, i cili ka humbur jetën rrugës kur po transportohej për në Spitalin e Traumës.

Nga mjeti tjetër nuk ka të lënduar në njerëz, vetëm dëme të lehta materiale.

Drejtuesi i ambulancës është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kurbin për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit./ tvklan.al