Të paktën 7 persona humbën jetën ndërsa me dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur pasi një kamion u përplas kokë më kokë me një autobus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përplasja ndodhi të enjten, në një autostradë pranë qytetit të Thoreau, New Mexico.

Zyrtarët thonë se numri i viktimave pritet të rritet. Sipas asaj që shkruan BBC, në bordin e autobusit ndodheshin 49 persona.

Një prej pasagjereve që ndodhej në autobus tha për CBS se po flinte gjumë në momentin e aksidentit. “

Ishte e tmerrshme, nuk kisha parë kurrë në jetën time që një autobus të shkatërrohej në mënyrë të tillë”.

Dyshimet paraprake janë se një prej gomave të kamionit shpërtheu në momentin që ishte në lëvizje, duke bërë që të përplasej me automjetet që vinin nga ana tjetër.

Skena me të cilën u përballën dëshmitarë të shumtë që ndodheshin në autostradë ishte e tmerrshme. Njerëz të shtrirë përtokë të cilët zvarriteshin për të dalë nga rrënojat e autobusit, të tjerë që bërtisnin e qanin për ndihmë.

Aksidenti vjen në një kohë kur me miliona amerikanë festojnë atë që njihet si Labor Day, një festë 3 ditore që shënon fundin e verës. Të paktën 35 milionë amerikanë udhëtojnë rreth 80 kilometra përgjatë kësaj rruge, duke bërë që ajo të jetë tejet e ngarkuar.

/tvklan.al