Burrel- Një makinë ka rënë në humnerë dhe për pasojë drejtuesi i saj ka humbur jetën. Ngjarja ka ndodhur në dalje të tunelit të Shkopetit në Burrel. Sipas të dhënave policore makina sapo ka kaluar tunelin për në drejtim të Tiranës ka dalë nga rruga dhe më pas është përmbysur në anë të saj disa metra poshtë në greminë.

Forca të shumta policie shkuan në vendin e ngjarjes, por reshjet e shumta të shiut vështirësuan punën për nxjerrjen e trupit të pajetë.

Është dashur shumë kohë që viktima të nxirrej nga makina dhe më pas të dërgohej në morg. Nuk dihen shkaqet e ngjarjes, por sipas policisë mjeti ka qenë me shpejtësi, ndërkohë që kishte reshje të shumta shiu./abcnews.al

Informacioni paraprak i Policisë së Kurbinit:

Sot, rreth orës 18:00, në aksin rrugor Burrel – Skuraj , në dalje të tunelit të Shkopetit, mjeti tip Benz i drejtuar nga shtetasi K.B. 50 vjeç, banues në Ulëz, ka dalë nga rruga duke rënë në greminë.

Për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit, i cili ndodhej i vetëm në mjet. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po kryejnë veprimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.