Një turist italian është viktima e një sulmi terrorist me makinë pranë një shëtitoreje në qendër të Tel Avivit, ku mbetën të plagosur edhe 7 turistë të tjerë. Viktimë mbeti avokati 36-vjeçar nga Roma, Alessandro Parini. Një tjetër turist italian është mes të plagosurve dhe 3 të tjerë britanikë.

Autori është një shtetas arabo-izraelit, i identifikuar si Jusef Abu Xhabër, i cili pas sulmit u qëllua për vdekje nga policia e Tel Avivit.

Terroristi 45-vjeçar goditi kalimtarët në shëtitore, pasi lëvizte me këtë automjet që u përmbys. Ngjarja ndodhi natën e të premtes, pak orë pasi 2 motra izraelito-britanike u qëlluan për vdekje me armë në një tjetër sulm terrorist në territoret palestineze të Bregut Perëndimor.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu “dhimbjen e saj të thellë” për vdekjen e shtetasit italian dhe e konsideroi autorin si “frikacak”.

Aktet pasuan sulmet e ndërsjellta të ushtrisë izraelite dhe militantëve të Hamasit ndaj njëri-tjetrit dhe ndërhyrjen e dhunshme të forcave izraelite të sigurisë, gjatë faljes të mërkurën në xhaminë Al Aksa.

Tv Klan