9 persona mbetën të plagosur këtë të mërkurë, si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes në Pogradec. Ngjarja ndodhi në afërsi të rrugës së ish-minierës së qymyrit, në fshatin Vërdovë. Sipas asaj që raporton ABC News, të rinjtë e moshës 30-35 vjeç udhëtonin me një mjet fuoristradë, kur në rrethana ende të paqarta, makina doli nga rruga.

Në mesin e të plagosurve mësohet se në gjendje më të rëndë ndodhen dy vëllezër, të cilët janë transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë. 7 të plagosurit e tjerë ndodhen në spitalin e Pogradecit, jashtë rrezikut për jetën.

Identitetet e personave të përfshirë në këtë aksident nuk dihen ende. Ata mësohet se udhëtonin nga Kalivaçi në drejtim të Pogradecit. Edhe shkaqet e daljes nga rruga të mjetit mbeten të paqarta. Dyshimet janë se shkak mund të jetë bërë moti i keq./tvklan.al