Një aksident ka ndodhur ditën e sotme rreth orës 07:30 të mëngjesit në aksin e rrugës kombëtare Elbasan-Peqin në vendin e quajtur Vidhas.

Sipas asaj që bën të ditur gazetari i Klan News, Fatos Salliu, në aksident janë përfshirë një automjet dhe një autobus. Si pasojë e përplasjes, autovetura është dëmtuar pjesërisht, ndërsa autobusi është shmangur.

Në vendngjarje ka mbërritur autoambulanca për trajtim mjekësor të të dëmtuarit. Paraprakisht raportohet për një të lënduar, por ende nuk dihen shkaqet e sakta të aksidentit.

Policia po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

“Rreth orës 07:30, në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, autobusi me drejtues shtetasin E. H., 57 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. L., 63 vjeç. Si pasojë është dëmtuar lehtë shtetasi A. L. Me shtetasin E. H., po kryhen veprimet procedurale. Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave të aksidentit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

/tvklan.al