Rama: Shërbim më i mirë për pacientët, paga më të larta për mjekët

Kryeministri Edi Rama është zotuar përsëri për rritjen e pagave të mjekëve dhe infermierëve. Kreu i qeverisë theksoi se paga e personelit mjekësor do të vijë duke u rritur nga viti në vit.

Rama tha se edhe në spitalet publike, mjekët që do të punojnë jashtë orarit do të marrin 70% të pagesës për këtë shërbim, ndërsa 30% i kalojnë spitalit.

“Pra mjekët që punojnë në këto spitale dhe që janë të dëshiruar dhe janë të kërkuar nga qytetarët për të ofruar shërbim përtej orarit të punës, të shfrytëzojnë spitalin, të shfrytëzojnë të gjithë aparaturat dhe kushtet e spitalit për të ofruar një shërbim ekstra që është një shërbim me pagesë, ku 70% të pagesës do e marrë mjeku dhe 30% do t’i mbetet spitalit.”

Synimi i qeverisë është edhe kthimi i mjekëve që ushtrojë profesionin e tyre në shtete të ndryshme.

“Jo vetëm praktika e dyfishtë, por edhe rritja së brendshmi e shpërblimit të mjekëve në bazë të meritës do të bëjë që interesi për të punuar në sistemin publik do të jetë më i lartë, konkurrenca do të jetë më e fortë dhe pastaj kush do të shkojë në Gjermani të na marrë të keqen.”

Pas Spitalit Rajonal “Memorial” në Fieri, kanë marrë kartën e Autonomisë Spitalore edhe 5 spitale të tjera rajonale, spitali i Durrësit, Vlorës, Lezhës, Shkodrës dhe QSUT.

Klan News