Autorët e vrasjes në Laç po hetohen për një tjetër ekzekutim



Autorët e vrasjes në Laç po hetohen për një tjetër ekzekutim

16:54 30/06/2020

Hetuesit dyshojnë se janë përdorur si vrasës me pagesë

Arrestimi i dy personave që dyshohet se vranë Bujar Likën dhe Paulin Gjergjin në Laç, mund të sjellë edhe zbardhjen e disa ngjarjeve të tjera që kanë ndodhur në zonën e Kurbinit dhe Mirditës.

Burime nga Policia e Lezhës thonë se Eduart Lama, personi kryesor në vrasjen e dy biznesmenëve, dyshohet si i përfshirë edhe në një tjetër ngjarje që ka ndodhur muajt e fundit në Kurbin.

Prokuroria dhe Policia po vijojnë hetimet, por ka dyshime se Lama ka patur lidhje edhe me një tjetër vrasje, pavarësisht se ende nuk ka prova të mjaftueshme. Bëhet fjalë për ngjarje kriminale të pazbardhur ende nga autoritetet dhe që mendohet se janë bërë nga vrasës me pagesë.

Në zonën e Laçit dhe Kurbinit, Eduart Lama cilësohej si person me rrezikshmëri të lartë. Ai më parë ka patur emrin Leando Simoni dhe rezulton se ishte në kërkim nga autoritetet greke, si anëtar i një organizate kriminale.

Ndërkohë bashkëpunëtori tjetër për vrasjen e dy biznesmenëve në Laç, Ilir Xhepaj, ka mohuar deri më tani se ka qenë i përfshirë në ngjarje. Edhe Eduart Lama është shprehur se vrasjen e bëri për vetëmbrojtje dhe nuk kishte qëllim ekzekutimin e biznesmenëve.

Policia vijon të ketë në kërkim Elson Aliaj dhe Klaudio Perkolaj, si dy personat e tjerë që morën pjesë në ekzekutimin e Bujar Hasanit dhe Paulin Gjergjit, mbrëmjen e 30 Majit.

Aktualisht ata po hetohen si grup i strukturuar kriminal për vrasje ndaj dy ose më shumë personave.

Tv Klan




Të ngjashme