Kryeministri i Kosovës, në largim, njëkohësisht kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, tha të martën se pas konsultave me drejtues të partisë është përcaktuar që Avdullah Hoti të jetë kandidati i këtij subjekti për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

LDK hyri në një proces të përzgjedhjes së kandidatit për kryeministër, pak ditë pasi zoti Mustafa në një tubim partiak në Istog, paralajmëroi mos-kandidimin e tij për këtë post.

Kandidimi i zotit Hoti erdhi në ditën kur pritet të përmbyllet afati kohor për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore.

Isa Mustafa tha se zoti Hoti ka marrë mbështetjen “e të gjithë anëtarëve, përfshirë edhe nënkryetarët e partisë, që njëkohësisht janë edhe kryetarë të tri komunave në Kosovë”.

Avdullah Hoti, ministër i financave në largim është një prej anëtarëve të rinj të partisë dhe në periudhën kur Isa Mustafa ishte kryetar i Prishtinës, kreu detyrën e nënkryetarit të tij.

Ai tha se “ka marrë mbështetjen e plotë të LDK-së dhe pas dy vitesh e gjysmë të qeverisjes, ajo po ia vlerëson rezultatet e punës si ministër”.

“Besoj në kauzën tonë të përbashkët dhe parimet që i ka LDK-ja”, 

tha Hoti.

Lidhja Demokratike e Kosovës ishte në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike për afro dy vjet e gjysmë deri javën e kaluar kur qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa nuk i mbijetoi një mocioni të mosbesimit të ngritur nga opozita, por të mbështetur edhe nga partneri në koalicionin qeverisës.

Zgjedhjet e parakohshme u shpallën një ditë pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës dhe ato mbahen më 11 qershor./REL