I mandatuari për kryeministër të ri të Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar planin e tij qeverisës në nisje të seancës së Kuvendit të Kosovës.

Hoti ka thënë se qeveria që ai do të drejtojë do të ketë dy prioritete kryesore; e para luftimi i pandemisë së koronavirusit të ri dhe i dyti, rimëkëmbja ekonomike.

Duke folur për prioritetet, Hoti tha se së bashku me partnerët e tjerë qeverisës do të kujdesen edhe për prioritetet e tjera si forcmimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik, marrja e përgjegjësive kushtetuese për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me përfshirje të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kjo qeveri do të promovojë dhe mbrojë sovranitetin e vendit si një tërësi e pandashme”, deklaroi Hoti.

Sa i takon rimëkëmbjes ekonomike, Hoti tha se do të krijohet fondi për rimbëkëmbje ekonomike, pasi sipas tij, dëmet nga pandemia e koronavirusit të ri mund të jenë të paparashikueshme.

Hoti ka premtuar mbështetje për bizneset për të tejkaluar krizën ekonomike që ka shkaktuar pandemia./REL