Shkodranët kërkojnë pikë në duelin e katërt ndaj francezëve të PSG

Aventura e parë në grupet e Champions League nuk po shkon ashtu siç duhet për Vllazninë e femrave. Shkodranët kanë humbur tre sfidat e para dhe janë shumë pranë eliminimit. Kampionët e Shqipërisë duan që të provojnë shijen e të paktën një pike, por kjo duhet të arrihet edhe duke gjetur rrjetën kundërshtare. Kundërshtari i radhës për shkodranët do jenë francezët e PSG. Tekniku, Nikolin Leka beson se ndaj kryeqytetasve do tentojnë për të siguruar pikë.

“Sikur vajzat ato gabimet që i bënë në 5 minutat e fundit të pjesës së parë, t’i eleminojnë,  shpresojmë që do të kemi rezultat  tjetër. Treguam që dimë të luajmë futboll, treguam që këto vajza kanë vlerat e veta, treguam që me pak kujdes mund të shënonim ndaj Parisit sepse disa herë shënuam në portën e Parisit. Por siç thashë duhet të mos gabojmë që të mundohemi të dalim më përpara”.

Shpresë për një rezultat pozitiv ndaj francezëve ka edhe kapitenia e shkodranëve, Ezmiralda Franja.

“Natyrisht që ne synojmë të japim më të mirën në fushën e lojës, pse jo të shënojmë edhe ndonjë gol, por edhe të marrim barazimin. Do ishte historike për Vllazninë të merrnim pikën e parë në 16-she”.

PSG gjendet në vendin e dytë të grupit A me 4 pikë, kjo falë fitores në duelin e shkuar kundër Vllaznisë me shifrat e thella 5-0.

Klan News