Kryeministri grek Alexis Tsipras ka akuzuar Turqinë se avionë luftarakë turq kanë kaluar pranë helikopterit me të cilin udhëtonte kreu i qeverisë greke.

Tsipras tha se helikopteri i tij u detyrua të bënte manovra në lartësi të ulët kur avionët turq hynë në hapësirën ajrore të Greqisë. Incidenti ndodhi kur Tsipras po udhëtonte me helikopter drejt ishullit Agathonisi për të marrë pjesë në festimet e Pavarësisë së Greqisë ditën e sotme.

“Ushtria greke kapi forca të huaja që shkelën hapësirën tonë ajrore kombëtare. Është nder të jem këtu me ju në Agathonisi, dhe me disa avionë të Forcës Ajrore turke, që ndoshta dhe për shkak të ditës, donin të merrni pjesë në këto festime”

, tha Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras gjatë takimit me banorët në këtë ishull. Tsipras u shpreh se është i angazhuar për bashkëpunim me Turqinë, por theksoi se Greqia do të mbrojë gjithmonë integritetin e saj territorial.

Nga ana tjetër, Turqia hodhi poshtë këto akuza, duke thënë se avionët e saj po kryenin një fluturim rutinë.

Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë janë të tensionuara për dekada me radhë për shkak të pretendimeve në Detin Egje. Ishulli Agathonisi ku Kryeministrit grek ndodhej sot për festimet e Ditës së Pavarësisë, ndodhet pranë territorit turk.

Megjithatë, Tsipras dhe Erdogan kanë bërë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet. Në vitin 2017, Erdogan u bë i pari shtetar i Turqisë që vizitoi Greqinë pas 65 vitesh.

/tvklan.al