Një avion me 135 persona në bord ka përfunduar në mes të një autostrade pasi doli nga pista gjatë momentit të zbritjes. Fatmirësisht asnjë nga udhëtarët në bord nuk u dëmtuan. Ngjarja ndodhi në qytetin jugperëndimor Mahshahr të Iranit. Avioni i linjës Caspian Airlines ishte nisur nga Teherani.

Sipas televizionit shtetëror iranian, piloti kreu me vonesë manovrat e zbritjes dhe kjo bëri që avioni të përfundonte jashtë piste. Ky është incidenti i radhës që ndodh me avionët në Iran, pas atij ku humbën jetën 176 persona, i cili u sulmua gabimisht nga forcat ushtarake iraniane.

Irani kishte planifikuar që të fuste në përdorim avionë të rinj pas heqjes së sanksioneve në vitin 2015 si pjesë e marrëveshjes me fuqitë botërore, por në vitin 2018 administrata Trump u hoqi licencën kompanive amerikane për t’i shitur avionë këtij vendi.

Klan Plus