Ankaraja dërgon ndihma mjekësore në të gjitha vendet e Ballkanit

Pas çdo dëshpërimi ka shpresë, pas çdo errësire ka diell. Me këtë moto, Turqia ka shpërndarë ndihma në materiale mjeksore, në 5 vende të Ballkanit, në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Bosnjë dhe Kosovë. Këto janë momentet e nisjes së avionit kargo të ushtrisë turke nga aeroporti i Ankarasë drejt vendeve Balkanike.

Ndalesa e parë e avionit ishte në Serbi, vendi i parë ballkanik që i kërkoi ndihmë Presidentit Erdogan. Teksa mori ndihmat, ministri i Mbrojtjes i Serbisë foli për raporte miqësie që do të ndryshojnë edhe marrëdhënien politike mes vendeve.

“Ky veprim do të ndikojë edhe në politikën tonë të së ardhmes. Serbia do t’i kujtojë gjithmonë dhe nuk do t’i harrojë ata që e ndihmojnë dhe i qëndrojnë pranë”.

Më pas avioni që ishte i ngarkuar me maska, veshje dhe kite të shpejta shkoi edhe në vendet e tjera të gadishullit ndërsa mikpritjen më të mirë e pati në Kosove. Fëmijë të turqve në Kosovë i dërguan mesazhe falenderimi Presidentit Erdogan.

Ndërkaq edhe ministri kosovar i Kulturës dhe Sportit e ftoi kreun e shtetit turk të vizitojë Kosovën në javët në vijim. Siç raportojnë mediat turke, nga vendet e Ballkanit ndihmat mjekësore nuk patën destinacion vetëm Shqipërinë. Edhe pse vendi ynë, siç janë shprehur edhe për mediat autoritetet, i kishte kërkuar ndihmë për të përballuar situatën Turqisë aleate, avioni i ushtrisë turke nuk zbriti në aeroportin e Rinasit.

Klan Plus