Një vajzë 3-vjeçare ka arritur t’i mbijetojë rrëzimit të avionit në Indi. Ajo u shpëtua nga autoritetet pasi avioni u nda në dysh, ndërkohë që po transportonte 191 persona.

Siç tregojnë fotot e postuara në mediat indiane, vajza mbahen në krahë nga një burrë. Fluturimi tragjik po kryhej për të riatdhesuar personat që kishin ngelur jashtë vendit për shkak të koronavirusit.

Të paktën 18 persona kanë humbur jetën nga incidenti i rëndë. Mes viktimave janë edhe dy pilotët. Autoritetet janë shprehur se 16 persona janë lënduar rëndë.

Sipas mediave, avioni ishte rrugës për në Dubai dhe doli jashtë piste e u nda në dysh gjatë uljes në aeroportin e Calicut. Shërbimet e emergjencës shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes ku bënë evakuimin e pjesës më të madhe të personave në bord.

Kompania ajrore e Air India Express tha se në bord ndodheshin 184 pasagjerë, përfshirë 10 fëmijë si dhe 7 anëtarë të ekuipazhit.

Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil deklaroi se avioni ra në një luginë dhe u nda në dysh pasi rrëshqiti në anë, në fund të pistës. Pamjet e publikuara në mediat indiane tregojnë avionin e ndarë në dysh dhe njerëz që kërkojnë nëpër rrënoja.

Aksidenti ndodhi rreth orës 19:00 me orën lokale, në një kohë kur rajoni është përfshirë nga shira të dendur. Në zonë ka pasur përmbytje e rrëshqitje të shumta të dheut./tvklan.al