Ashtu siç kishin paralajmëruar një ditë më parë, avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha iu drejtuan këtë të mërkurë Gjykatës së Posaçme për të kërkuar zhbërjen e masave të sigurisë për klientin e tyre. Por përpara kësaj, ata kanë paraqitur një tjetër kërkesë. Avokati Genc Gjokutaj, në një prononcim për gazetarët tha se fillimisht ata kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.


“Bëmë kërkesë paraprake për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Është depozituar kërkesa, është zhvilluar me kërkimin tonë, pra humbjen e fuqisë së masës së sigurimit. Janë bërë prapsimet e prokurorit dhe është ndërprerë seanca për të shqyrtuar kërkesat për përjashtim edhe për të na dhënë një kopje të akteve të prokurorisë në lidhje me objektin e kërkimit. Seanca është shtyrë për orën 15:30”.

I pyetur se cilat janë argumentet me të cilat ata kërkojnë përjashtimit e gjyqtares në shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjokutaj tha: “Absolutisht ajo ka detyrë të heqë dorë, ajo nuk e bëri këtë veprim, pasi në vitin 96 kjo gjyqtare është shkarkuar nga detyra nga KLD-së i asaj kohe, i cili kryesohej nga zoti Berisha në cilësinë e kryetarit të KLD, si president i republikës”.

Sa i takon kërkesës për shuarje të masës ndaj kryedemokratit Berisha, avokati Gjokutaj theksoi se kjo vjen pasi “gjykata nuk ka zbardhur vendimin dhe për pasojë nuk ka bërë ekzekutimin”.

Në kërkesën e bërë publike një ditë më parë (Lexo më shumë) avokatët e konsideruan moszbardhjen e vendimit shkelje flagrante të ligjit.

Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme thotë se vendimi është zbardhur. Aty janë renditur lëvizjet e policisë gjyqësore për njoftimin e ish-Kryeministrit, deri në momentin që gjykata ka vlerësuar marrjen e dijenisë për shkak të reagimeve të tij publike ndaj masës së sigurisë.

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj ish-Kryeministrit masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe atë të detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore me dyshimet e përfshirjes në korrupsion. Të hënën në 6 Nëntor, Berisha vendosi të mos paraqitej përballë oficerit të policisë gjyqësore duke e konsideruar masën si antikushtetuese./tvklan.al