Aleatët e kritikut të Kremlinit Navalny, kanë ngritur alarmin për shëndetin e tij pasi avokatëve u është mohuar vizita në burg.

Sipas mikut të tij të ngushtë, Leonis Volkov, Navalny kishte pasur dhimbje serioze në shpinë javën e kalur dhe mpirje në këmbën e tij, ndërsa si ndihmë në burg i ishin dhënë vetëm dy pilula Ibuprofen.

Volkov tha se avokatët e Navalny, Olga Mikhailova dhe Vadim Kobzev ishin përpjekur ta vizitonin atë, por nuk ishin lejuar gjatë gjithë ditës.

Kobzev, një nga avokatët, konfirmoi se atij i ishte mohuar hyrja, gjë që ai tha se ishte e papranueshme.

Navalny, 44 vjeç, u burgos muajin e kaluar për dy vjet e gjysmë me akuza që ai i quajti të trilluara. Ai u arrestua pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku ishte duke u rikuperuar nga helmimi me agjentë nervorë.

Navalny po mbahet në një kamp burgu në rajonin Vladimir rreth 100 kilometra në lindje të Moskës./tvklan.al