Autoritetet greke vazhdojnë të hetojnë ngjarjen e rëndë që ndodhi më 2 Janar 2019 në ishullin e Korfuzit në Greqi. Mjeko-ligjorët do të konfirmojnë nëse vajza Anxhelina Petro është abuzuar seksualisht para se të vritej nga i ati, Aleko Petro. Këtë dyshim e ka ngritur në fakt nëna e Anxhelinës, e cila mori trupin e së bijës në Berat.

Lidhur me këto zhvillime, ka folur për mediat greke avokati i shqiptarit. Niko Hatzinikolaou thotë se do të japë dorëheqjen nga mbrojtja e klientit të tij nëse provohet që Aleko Petro ka abuzuar seksualisht me të bijën.

“Deri tani argumentimi juridik është se krimi është kryer për shkak të zemërimit dhe nuk e ka kryer qëllimisht. Ai është në gjendje të keqe psikologjike dhe nuk e kupton që ka kryer këtë vepër. Mbetet për të parë nëse është abuzuar seksualisht, vepër që klienti im e mohon. Nëse gjendet diçka lidhur me këtë, do të dorëhiqem si avokat mbrojtës i tij”

, tha avokati grek i shqiptarit Aleko Petro.

Ky i fundit kundërshtonte lidhjen e vajzës së tij Anxhelina Petro me të dashurin e saj afgan. Pasi debatoi ashpër me të bijën, 52-vjeçari dhunoi për vdekje me sende të forta vajzën e tij dhe më pas trupin e 29-vjeçares e varrosi në oborrin e shtëpisë. Zhdukja e Anxhelinës u raportua në polici nga i dashuri afgan i saj. Fillimisht, i ati fshehu ngjarjen dhe u shfaq i shqetësuar për zhdukjen e 29-vjeçares, duke i kërkuar policisë që t’i gjenin të bijën. Por, dëshmitë kontradiktore që ai jepte bënë që hetuesit të dyshonin. Pas disa orësh kërkime, trupi i Anxhelina Petros u gjet i varrosur në oborr. Ndërsa babai i saj Aleko Petro u detyrua të pranonte krimin që kishte kryer. /

tvklan.al