Avokati: Kokëdhima nuk ka patur faj, spanjollët u ngritën pa asnjë shkak

Avokati: Kokëdhima nuk ka patur faj, spanjollët u ngritën pa asnjë shkak

22:05 05/09/2019

“Thyerja e xhamit, për vetëmbrojtje”

Kujtim Cakrani, avokati i cili e mbrojti Mihal Kokëdhimën deri në dhënien e masës së sigurisë, thotë se klienti i tij është hedhur instiktivisht para makinës së turistëve dhe e theu xhamin e tyre me celular për t’u mbajtur.

Duke folur mbrëmjen e kësaj të enjteje në emisionin “Opinion”, për ngjarjen e bujshme ku pronari i restorantit “Panorma” sulmoi turistët spanjollë, Cakrani tha se klienti i tij nuk ka pasur faj.

Cakrani tregoi fillimisht versionin e ngjarjes, nga momenti që turistët spanjollë dhe grupi i shoqëruesve shqiptarë shkuan tek lokali i Kokëdhimës në Porto Palermo dhe u larguan pak minuta pasi kishin porositur ushqimin.

“Është i vërtetuar tashmë se grupi i shoqëruesve, shqiptarët që kanë shoqëruar kanë shkuar, kanë porositur, ashtu siç shqiptarët bëjnë edhe pazare të ndryshme që ata kanë ikur, janë larguar pa paguar. Atëherë, kanë shkuar kanë porositur aq sa deshën, ua ka treguar edhe peshkun, të cilin ai e tregton, e kanë zgjedhur. Ndërkohë janë ulur në tavolinë, ka shkuar kamarieri i ka marrë menunë për gjërat e tjera, që do të konsumoni drekën, ndërkohë ishin duke pritur që të përgatitej peshku. Pas disa minutash, këta ngrihen, pa asnjë shkak. Unë marr përgjegjësinë të flas për anën ligjore, çfarë ka ndodhur. Këtu kemi një problem shumë të madh që unë si avokat kam konstatuar”.

“U ngritën dhe kanë dalë jashtë dhe po shkonin për tek makina. Kokëdhima kishte parë te tavolina që nuk ishin dhe del jashtë. Del para furgonit dhe lajmëron policinë. Ndërkohë këta ndezin makinën dhe i japin gaz. Ai instiktivisht është hedhur para, sepse ata do ta shtypnin me makinë dhe kjo ka qenë e gjithë arsyeja përse ai u gjet tek kofanoja e makinës. Ndërkohë ai u thoshte, ndaloni çfarë keni”.

Sipas avokatit, Kokëdhima e godiste xhamin e makinës me cepin e celularit në mënyrë që të kapej.

“E godiste makinën jo me grusht, por me cepin e celularit te xhami sepse nuk kishte mundësi ku të kapej. Sepse në momentin që mund të binte në shesh, sepse nuk shikojmë pjesën tjetër ne, që nëse ai do të binte mund të ishte shkaktuar një tragjedi. Dhe në moment thotë ndaloni makinën se po bie. Dhe po ta vesh re, ka vënë dorën tek kroskoti dhe është mbajtur. Këta zotërinjtë kanë ecur 3 klilometra e gjysmë nga vendi ku është restoranti, deri në Qeparo”.

“Kjo është arsyeja që policia nuk e zbardhi, pjesën se pse ju zotërinj nuk ndaluat, sepse mund të ndodhte një tragjedi tjetër, mund të ishte shtypur”, tha avokati Cakrani i cili i hodhi poshtë pretendimet e turistëve se kanë ndaluar disa herë që Kokëdhima të zbriste. “Jo jo, nuk kanë ndaluar asnjëherë”.

Avokati tha më tej se Kokëdhima ishte i pari që kishte shkuar në polici.

“Kokëdhima nuk ka pasur faj. Ai ka shkuar vetë në komisariat për të bërë denoncim për këta. Dhe më pas janë thirrur turistët dhe pas 4 orësh është ndaluar. Problemi qëndron këtu, çështja nuk u hetua. Është shumë e rëndë natyrisht kjo që ka ndodhur, është shumë e rëndë. Fakti që ka ndodhur thyerja e xhamit, goditja me anë të celularit, ka qenë vetëm për vetëmbrojtje, që ai të mos të binte.

“Ka qenë përpara makinës duke telefonuar policinë, ndërkohë këta zotërinjtë i japin gaz makinës, ai instiktivisht është hedhur para. Gjithë skena ka qenë e tillë, se nuk ka asnjë njeri të çmendur që makina të ecë dhe të hidhet si Rambo para makinës, nuk ka logjikë, nuk ka kuptim”./tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT