Erion Veliaj do të vijojë të qëndrojë në qeli. Ishte gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, që vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”, duke pranuar në këtë mënyrë kërkesën e SPAK.

Gjykata vendosi masë lehtësuese vetëm për biznesmenin Elman Abule, i cili do të qëndrojë në arrest shtëpie. Për tre biznesmenë të tjerë të cilët janë në masën detyrim paraqitje nuk pati ndryshim.

Avokati Maks Haxhia e quajti vendim jo të drejtë për të lënë në burg Veliajn, teksa tha se tashmë do t’i drejtohen Gjykatës së Lartë.

“Nuk mund të aplikohej masa e arrestit në burg për njeriun më të votuar të Shqipërisë, tre herë i nominuar kryetar bashkie dhe t’i thuash je person i rrezikshëm. Zgjidhja e çështjeve me masa arresti, jo vetëm për Erion Velinë, por për këdo, është një absurditet që vetëm në Shqipëri ndodh, sidomos për vepra që nuk paraqesin këtë shkallën e rrezikshmërisë dhe vetë personi u shpall në shkallë të lartë rrezikshmërie”, tha avokati Maks Haxhia.   

I pyetur nëse SPAK paraqiti prova të reja në seancë, Haxhia u përgjigj kështu:

“Veprat më të rrezikshme në Kodin Penal janë ato që dëmtojnë jetën dhe shëndetin sepse është pasuria më e madhe e shoqërisë për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e individit. Kurse këto lloj veprash penale që kanë më shumë karakter administrativ dhe bazohen në ekspertët kontabël për të sjellë në aktet e tyre dhe për të pasqyruar dëmet efektive, këto janë vepra që nuk kanë atë shkallë rrezikshmërie”, tha Haxhia.  

Vendimi për Veliajn, Abulen dhe tre biznesmenët nën hetim u dha pas një seance maratonë që zgjati 3 ditë. Gjyqtari Engert Pëllumbi rrëzoi edhe kërkesën e Ajola Xoxës për të hequr nga sekuestroja llogaritë bankare. Kryebashkiaku Tiranës u arrestua më 10 Shkurt, pasi akuzohet për dy vepra penale, atë të “korrupsionit pasiv” në 9 raste dhe “pastrim parash”.

Veliaj ka edhe një mundësi të fundit për të kërkuar lirinë në Gjykatën e Lartë. Vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit ai mund ta ankimojë brenda 45 ditëve.

Klan News