Avramopulos: Shqipëria më pranë BE, frenoni azilantët – TV KLAN

Avramopulos: Shqipëria më pranë BE, frenoni azilantët

Rama: 32% më pak azilkërkues shqiptarë në vendet e BE

Komisioneri i Bashkimit Europian për Migrim dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopoulos shpreh mbështetje për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Nga Tirana, thotë se vendi ka bërë hapa të rëndësishëm me reformat që e afrojnë drejt Bashkimit Europian, por nënvizon se shqetësim mbetet ende emigracioni i paligjshëm.

“Nga ana e BE-së ne e kemi dhënë këtë rekomandim në 2018 për çeljen e negociatave dhe i qëndrojmë atij. Siç e dini në fund të fundit është Këshilli ai që e merr vendimin për çeljen e negociatave. Që prej Qershorit të shkuar Shqipëria ka bërë progres në lidhje me reformën në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar dhe kanabisit dhe kjo duhet pranuar, duhet njohur. Por ky progres duhet të jetë i qëndrueshëm. Punë duhet për të ndalur numrin e aplikimeve të pabaza për azil, dhe unë shoh angazhimin e autoriteteve shqiptare për ta arritur këtë”.

Në krah të tij, Kryeministri Rama thotë se Shqipëria ka të gjitha kapacitetet për të ruajtur kufijtë, ndërsa flet me shifra për uljen e emigracionit të paligjshëm nga shqiptarët në Bashkimin Europian.

“Na vjen mirë që emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve në vendet e BE vazhdon të bjerë dhe bazuar në raportin e vitit 2018 të KE dhe KiE shkruhet se në 2018 e kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme 27% më pak shqiptarë se sa një vit më parë. Ndërsa kërkesat për azil janë ulur me 32% në gjysmën e parë të 2018”.

Sa i takon evndimit të Parlamentit holandez për rikthimin e vizave me Shqipërinë, Avramopulos thotë se në Bruksel nuk ka mbërritur asnjë kërkesë e tillë.

“Komisioni nuk ka marrë asnjë njoftim që kërkon pezullimin e vizave. Nëse mund të ndodhë në të ardhmen, më besoni se do të bëjmë një analizë të kujdesshme nëse një veprim i tillë do të duhet të merret apo jo në përputhje me procedurat dhe informacionin që ka të bëjë me rrethanat specifike”.

Deklaratat u bënë gjatë ceremonisë së prezantimit të forcave Frontex në Shqipëri. Prej 22 Majit, 50 oficerë të Frontex do të vendosen fillimisht në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë ku do të monitorojnë kufirin mes dy vendeve.

Objektiv është kontrolli i fluksit të emigrantëve nga vendet e treta që e përdorin Shqipërinë si rrugë kalimi për të kaluar në vendet e BE-së, po ashtu edhe lufta ndaj krimit dhe trafikut të qenieve njerëzore.

Tv Klan

Kategori
Lajmet KryesorePolitikaTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione