Trashëgoi një pasuri përrallore nga i ati i saj Elvis Presley, plot 100 milionë dollarë. Por sot Lisa Marie Presleyt i kanë mbetur vetëm 14 mijë dollarë.

Për këtë, këngëtarja fajëson Barry Siegelin, ish-menaxherin e bizneseve të saj. Këtë javë vajza e Elvis Presleyt ngriti ndaj tij një padi në Los Angeles, me akuzën se i kishte shpërdoruar pasurinë, duke ia keqmenaxhuar për t’i shërbyer ambicieve të tij.

Në dokumentet gjyqësore, Lisa Marie shkruan ndër të tjera se Siegel i kishte shitur 85% të aksioneve të saj tek Elvis Presley Enterprise, firmës që menaxhonte asetet e trashëguara nga ylli i muzikës Rock&Roll në vitet ’70. Ajo akuzon gjithashtu menaxherin se nga vendimet e tij i ka lënë një borxh prej 500 mijë dollarësh në kartat e kreditit.

Ky është telashi më i fundit me gjyqet për 50-vjeçaren Lisa Marie Presley. Ajo thotë se ka borxhe që arrijnë në 16 milionë dollarë dhe ka një gjyq të hapur me bashkëshortin e saj të katërt, Majkëll Lokud. Presley ka qenë e martuar edhe me Majkëll Xheksonin e Nikolas Kejxhin.

Tv Klan