Mund të mbahet në 3 ose në 4 Shtator në Shtëpinë e Bardhë

Takimi i 2 Shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë mund të shtyhet me 1 ose 2 ditë. Lajmi që qarkullonte në media u konfirmua nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç që u tha mediave në Beograd se bisedimet mes dy vendeve mund zhvilloheshin në 3 ose në 4 Shtator.

Shkak për këtë shtyrje duket se është bërë axhenda e Presidentit Amerikan Donald Trump që është angazhuar tërësisht në fushatë elektorale. Sipas Vuçiç, kreu i Shtëpisë së Bardhë mund t’i bashkohet tryezës nëse palët do të arrinin diçka konkrete.

“Nëse do të jetë mundësia, por mos e merrni për të sigurt, thonë që ekziston mundësia që të jetë prezent edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump në rast se ne do të merremi vesh për diçka”.

Gjithsesi Vuçiç u tregua i prerë për të mos toleruar asgjë në dëm të vendit të tij. Kreu i shtetit serb akuzoi Prishtinën se nuk duket e interesuar për çështjet ekonomike, por njohjen finale.

“Nëse ata na kërkojnë njohje në këmbim të integrimit Euro-Atlantik, ne do t’u themi, jo faleminderit, le të bëjmë diçka më serioze”.

Në krahun tjetër në Prishtinë, qeveria nuk ka konfirmuar ende shtyrjen e takimit ndërsa Kryeministri Avdullah Hoti ka këmbëngulur se njohja reciproke është në thelb të bisedimeve. Përpara takimit krerët e koalicionit qeverisës do të takohen në Prishtinë.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë mbahet me iniciativë të të dërguarit special për dialogun, Richard Grenell. Ftesës së tij iu përgjigjën menjëherë pozitivisht Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë.

Në fokus të takimit mbetet bashkëpunimi ekonomik. Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë rinisën pas gati 2 vitesh ndërprerje me takimin e zhvilluar në Bruksel më 16 Korrik të këtij viti.

Tv Klan