Programi “Historia ime” ka sjellë ditën e sotme historinë e veçantë të një babai, i cili është duke rritur i vetëm dy fëmijët e tij, nga dy martesa të mëparshme.

Elton Kurti nga martesa e tij e parë ka një vajzë. Pas divorcit nga gruaja e parë, ai njihet me një filipinase, me të cilën edhe u martua. Pak kohë më vonë vjen në jetë edhe djali i tyre, Samuel dhe ata vendosin të shkojnë në Romë, për arsye dokumentesh të gruas nga ishujt Filipine.

Por gjërat nuk po shkonin mirë në marrëdhënien e tyre dhe problemet e shumta bënë që Eltoni të merrte djalin dhe të kthehej në Shqipëri. Gruaja kontriboi vetëm 3 muajt e parë për djalin dhe pastaj tregoi indiferencë të plotë. Para një viti, Eltoni zbuloi se djali i tyre vuan nga Sindroma Down.

Si rrallë ndonjëherë, një baba i vetëm mori përsipër rritjen e djalit, por si një baba i përgjegjshëm, ai mendon se nëna duhet të luajë rolin e saj në rritjen e djalit. Prandaj në studio, Eltoni kërkon që ish-gruaja e tij të kontribuojë për rritjen e djalit të tyre.

Elton: Me Mitus jam njohur në terren, kur punoja si shpërndarësh picash dikur me motor dhe hyja gjithandej. Mitus ka ardhur vërdallë me grupe të huajsh, ishte e punësuar në një familje në Tiranë si babysitter dhe kur çoj një porosi ushqimi tek familja, del kjo. Ne kishim folur disa herë në rrugë. Në një moment e ftova për të pirë kafe.

Mirela Milori: Pra vendosët të njiheshit dhe dolët në kafet e para dhe u njohët. Kur vendosët ta bënit më serioze lidhjen, pra ta çonit drejt një martese?

Elton: Pas njohjes filloi ai besimi i ndërsjelltë, kur i thonë, ajo iku nga familja ku qëndronte dhe unë e mora në shtëpi se e desha atëhere. Kemi ndenjur më shumë se një vit në shtëpi, ishte bashkëjetesë.

Mirela Milori: U martuat zyrtarisht pas sa kohësh?

Elton: U martuam në momentin kur lindi fëmija.

Mirela Milori: Sa kohë jetoi nëna me Samuelin?

Elton: Në 11 Gusht të 2013 lindi Samueli. Në 15 Shtator pasaporta e Mitus skadonte dhe lindte nevoja të shkonte në një ambasadë filipinase dhe më e afërta ishte në Romë. Ajo e kishte mbledhur mendjen që po të ikte në Europë të qëndronte aty.

Mirela Milori: Pra djali erdhi në jetë në Gusht?

Elton: Po dhe në Shtator ikëm të tre me anije në Romë. Atje, ajo kishte një të afërm të largët, por ata sa më panë nuk më pëlqyen. I thanë nuk e fusim në shtëpi. U thashë strehoni fëmijën dhe gruan dhe për mua s’ka problem. Dhe ashtu ndodhi.

Mirela Milori:  Si ashtu ndodhi?

Elton: Që ajo familja strehoi Mitus dhe djalin. Unë shkova tek 2 motrat në Kalabri. Qëndrova vetëm një javë atje, pastaj flija në stacionin e trenit.

Mirela Milori: Ti flisje në stacion treni?

Elton: Po për disa javë dhe pastaj morrëm një vendim bashkarisht me të. Tha ti nuk mund të rrish më këtu, merr djalin dhe kthehu në Tiranë. Ashtu bëra.

Eltoni thotë se pavarësisht se ishin përpjekur për t’u bashkuar sërish, gjërat nuk kishin shkuar mirë midis tyre, derisa një ditë bashkëshortja e merr në telefon dhe i thotë se ishte më mirë t’i jepnin fund lidhjes së tyre.

Elton: Më merr në një moment dhe më thotë: Ton shiko deri këtu ishim bashkë, ti si ta kesh, ose mbaje ti djalin ose ma jep mua. I thashë ç’domethënë kjo, s’kemi të bëjmë me një pazar kafshësh, kemi të bëjmë me një fëmijë. Që nga ky moment i thashë të më rrojë mua djali. Ajo më tregoi që kishte edhe lidhje me një filipinas atje, më tregoi foto, gjëra. Aty u ndërpre marrëdhënia jonë. Unë jam me certifikatë martese prapë me të.

Mirela Milori: Nuk keni bërë divorc legal?

Elton: Jo, nuk kemi bërë.

Mirela Milori: E ka takuar më djalin?

Elton: Ajo vetëm 3 muaj e ka takuar djalin fizikisht.

Mirela Milori: Flet me nënën?

Elton: Me WhatsApp, video, por ajo nuk ia shpreh, mbase e do, por prapë s’ia shpreh.

Eltoni tregon se ai ka pasur edhe një martesë të mëparshme, nga e cila ka një vajzë. Gjithashtu edhe ish-bashkëshortja e tij ka 4 vajza nga një tjetër lidhje.

Mirela Milori: Ti ke dy divorce dhe ke dy fëmijë. Të dy fëmijët i mban ti?

Elton: Po, unë s’mund të rri dot pa fëmijët, nëse nuk i shoh të dy jam i dështuar, nuk e quaj veten baba.

Eltoni tregon në studio se situata është edhe më e vështirë për të, sepse djali i tij Samueli vuan nga Sindroma Down.

Elton: Që në lindje, pamë diçka dhe dyshuam. E pamë, por nuk proceduam diçka dhe jam penduar që nuk e morëm që atëhere me seriozitet. Edhe 5 vjeç, artikulimin dhe ecjen se kishte shumë të mirë. Pastaj bëmë analizën dhe dyshimi ynë u vërtetua.

Mirela Milori: Cili ishte reagimi i mamasë së Samuelit?

Elton: Nuk i erdhi mirë me thënë të drejtën, edhe ajo dyshonte.

Mirela Milori: Ka kontribuar gjatë këtyre viteve për djalin financiarisht?

Elton: 3 muajt e parë ka sjellë nga 70, 80 euro, 100 euro maksimumi. Pas telefonatës, kur më tha do shoh punën time, nuk ka kontribuar më.

Nga një komunimim me ish-bashkëshorten e Eltonit në studio përmes mesazheve, ajo shprehet: Çfarë rreth djalit tim? Ai donte që djali im të qëndronte me të dhe unë ia lashë djalin sepse ai ka kërcënuar xhaxhain, kushërinjtë e mi dhe mua kur ishim në Romë. Ai thotë që e kam harruar të shkuarën, por gjithmonë e kujtoj atë, që kështu është më mirë mos flas me të.

E pyetur për detyrimin e saj financiar në lidhje me djalin, ish-gruaja e tij shkruan: Nuk është nevojshme të kontribuoj financiarisht për rritjen e Samuelit, është detyra e tij, ai është i ati. Ishte zgjidhja e tij që Samueli të ishte me të. Ai e di që unë kam detyrime ndaj vajzave të mia dhe ato janë prioriteti im i parë dhe i fundit./tvklan.al