Rubrika “Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e dhimbshme të një familjeje nga Rubiku. Kryefamiljari rrëfeu në studio vështirësitë dhe sëmundjet që ai dhe familja e tij janë përballur gjatë gjithë jetës.

Ata menduan ta fejojnë vajzën në moshën 16-vjeçare, por lidhja e saj nuk shkoi ashtu si ata kishin menduar. Që në fejesë, çifti kishte probleme dhe prandaj familja mendoi të përshpejtonte martesën, se ndoshta kur të ishin afër njëri-tjetrit, gjërat do rregulloheshin, por nuk ndodhi kështu.

Sipas tij, dhëndrri ushtronte vazhdimisht dhunë ndaj vajzës dhe situata arriti deri aty sa vajza nuk donte të jetonte më.

Pjetër: Na erdhi njëri tek shtëpia, fejuam vajzën?

Ardit Gjebrea: Në Rubik?

Pjetër: Po!

Ardit Gjebrea: Sa ishte vajza?

Pjetër: Vajza 16 vjeç. Ja dhamë fjalën se na u duk djalë i mirë. Gjatë fejesës, ata kishin probleme, sikur kishin të gjithë. Edhe mundohesha ti qetësonim, sa rehatoheshin pak, fillonin sërish. I thashë gruas ta bëjmë një ndërhyrje tjetër, t’ju themi ti martojmë, se ky djali punonte larg dhe mos afrohen dhe rehatohen. U martuan, i ka thënë vajza gruas, një javë kanë shkuar mirë, pastaj kanë filluar sërish. Ai e godiste vajzën kudo ku e shikonte.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Pjetër: Kështu jam unë i thoshte, burri duhet ta rrahë gruan.

Ardit Gjebrea: Çfarë është kjo?

Pjetër: S’di si ti quaj këto lloj veprimesh që ai ka bërë. E mori vesh gruaja, më thotë mua dhe unë marr në telefon të atin e tij dhe i them do vi nesër tek shtëpia, ishte për krishtlindje këtë vit. Shkoj i them na ka dalë një problem, nuk e dinte ai në fakt.

Ardit Gjebrea: Ata jetonin bashkë apo veç e veç?

Pjetër: Bashkë!

Ardit Gjebrea:  Dhe nuk e dinte ai që i biri gjuante?

Pjetër: E ëma e djalit e dinte dhe e ndihmonte me veprime djalin, e mbështeste që ta godiste, kur vajza qante, e fuste në një vend që mos e dëgjionte burri i saj, vjehrri. Ai i thoshte unë kështu jam, nuk ndryshoj i thoshte gocës, ti po deshe rri, po deshe ik. Unë ky do jem, gjithë jetën këtë punë do bëj.

Më tej, Pjetër tregon se kur foli me babain e dhëndrrit të tij, ai nuk dinte asnjë gjë. Edhe pse kishte vendosur ta merrte vajzën, babai i djalit tha se gjërat do rregullohen, se ai do ndërhyjë për ta sqaruar situatën. Me besim sërish Pjetri e la vajzën tek ajo familje.

Pjetër: Gruaja më tha mirë do kishe bërë ta kishe marrë vajzën, se vajza më tha do pi helmin, o do vras veten, një gjë do ta bëj. Për Krishtlindje goca ndenji aty. Për Vitin e Ri, e mora unë vajzën dhe shkuam tek motra ime në Kosovë, për qejf për të kaluar pak mërzinë. Kur erdhëm në date 2 në Shqipëri, kishte probleme në telefon, se e shikoja vajzën nuk ishte e qetë. Edhe i thashë ishte ora 4 e mbasdites, i thashë bëhu gati të të çoj tek shtëpia e burrit. Jo tha s’dua të shkoj më. Si nuk do i thashë, se unë ju thashë që do ta marr dhe do ta sjell prapë. Si është puna. Tha më shkruan mesazh dhe më thotë, sa të vish do të rrah prapë. Si të shkoj prapë tha? E lashë s’kisha çfarë ti thosha./tvklan.al