“Zemra e tij nuk e përballoi”

Ruzhdi Ishmi është shqiptari, i cili humbi jetën në Indonezi tre ditë më parë, më 20 Mars për shkak të koronavirusit. Vajza e tij në një rrëfim prekës për emisionin “Opinion” ka treguar se ka qenë e vetme që e ka përcjellë të atin në banesën e fundit.

Denada Ishmi thotë se vendosi ta varrosë babain në Indonezi me shpresën se një ditë do mundet që ta kthejë në Shqipëri dhe t’i bëjë një funeral ashtu siç e meritonte.

“Isha e vetmja që e përcolla e fundit trupin e pajetë të babait. Askush tjetër nuk lejohej dhe nuk mund të  ishte në funeral. Ai dha frymë më 20 Mars, 12 ditë pasi ishte konfirmuar si i prekur nga koronavirusi. Autoritetet më pyetën nëse doja që ai të prehej në një varrezë, apo të çohej krematorium, ku mund të merrja hirin e tij. Bashkë me motrat, Ema në Durrës e Alba në Itali, vendosëm ta çonim në varreza, këtu në Indonezi me shpresën që një ditë të mundem ta kthej në Shqipëri dhe të ketë një funeral ashtu siç e meritonte”, tha Ishmi.

Ruzhdi Ishmi ka qenë inxhinier në fabrikën e cigareve në Durrës. Ai jetonte në Durrës, por tërmeti i Nëntorit i shkatërroi banesën. Denada ka rrëfyer se e kishte tërhequr në Xhakarta, aty ku ajo jetonte, për të kaluar vitin e ri.

“Flas për të dhe lotët nuk i mbaj dot. Ende nuk e di se si u infektuan me koronavirus babi, nëna dhe bashkëshorti. Prindërit e mi jetonin në Durrës. Pas tërmetit të 26 Nëntorit banesa e tyre u dëmtua. Dolën nga shtëpia sepse ishte e pabanueshme, kaluan një situatë të vështirë”, ka treguar ajo.

Përveç të ndjerit, të infektuar me COVID-19 kanë qenë edhe bashkëshortja e tij dhe dhëndri. Fatmirësisht këta të dy e morën veten, por Ruzhdiu humbi jetën. “Nuk e kaloi dot, zemra e tij nuk e përballoi”, tha Denada.

“Babi dukej më mirë, vetëm se kalonte shumë kohë në gjumë. Kur edhe babit i filloi kolla shkuam tek mjeku dhe insistuam për të bërë testin. Të dy rezultuan pozitivë. Edhe Martini bashkëshorti im doli pozitiv, por nuk kishte shenja ndërsa unë nuk isha prekur. Në fillim dukej më e vështirë gjendja e mamit, por fatmirësisht ajo e mori veten. Ndërsa babi ai që duke më mirë, më pas u rëndua, derisa shkoi në intubim me respirator. Nuk e kaloi dot, zemra e tij nuk e përballoi. Dha frymën sapo mbaroi falja e së premtes. Iku në Qetësi, në paqe, dhe shpresoj që është në paqe edhe atje ku shkoi”. /tvklan.al