Kontenieri me banane i nisur nga porti i Guayaquil të Ekuadorit në të cilin policia zbuloi 49 kilogramë kokainë mbahej nën vëzhgim. Ai ishte vendosur në rreshtin e kontenierëve me risk, të cilët klasifikohen si objekt kontrolli me skaner. Ishte pikërisht pas kontrollit me skaner kur u zbulua se brenda tij nuk kishte vetëm banane.

Gazetarja e Tv Klan, Enkeleida Arapi sjell detaje rreth sasisë së kokainës së kapur këtë të enjte në Portin e Durrësit. Kështu, operacioni për zbulimin e drogës mësohet se zgjati rreth 2 orë dhe u zhvillua gjatë orëve të mëngjesit.

Kjo linjë mbahej nën vëzhgim prej më shumë se një muaji, për shkak të dyshimeve që mund të transportonte drogë.

Administratori i firmës Ecoalmax me qendër në Maminas për llogari të të cilit vinte ngarkesa me banane, 72-vjeçari Selim Çekaj, mësohet se ka mohuar që të jetë porositësi i lëndës narkotike.

Ai është babai i Arbër Çekajt, i dënuar me 14 vjet burg për ngarkesën me drogë të zbuluar në 2018-n po në Portin e Durrësit. Kontenieri me banane vinte për llogari të Arbi Garden, që ishte dhe emri i kompanisë së Arbër Çekajt. Brenda kontenierit po me banane, në atë kohë u zbulua një sasi rekord prej 613 kilogramësh kokainë. Në këtë rast droga vinte nga Kolumbia.

Operacioni i mëngjesit të kësaj të enjteje u quajt Mersin. Konternieri mësohet se kishte bërë ndalesë në portin e Mersinit në Turqi./tvklan.al