“Nuk ia uroj as hasmit. Gruaja nuk di gjë ende për këtë që na ndodhi”

Mes dhimbjes dhe lotëve, Agim Bitri, babai i Klajdi Bitrit i cili u vra në Ankona të Italisë kërkon drejtësi për vdekjen e të birit. Ai thotë se djali i tij u qëllua për vdekje pa faj, teksa po ndërhynte për të shuar një sherr ku u përfshi shoku i tij.

“Nuk e dija a ekziston drejtësia. Dua drejtësi për fëmijën tim, për çfarë arsyeje i ka ndodhur kjo se ai ishte në lule të rinisë, 23 vjeç e nuk shijoi dot një jetë që të krijonte familje, të krijonte diçka”.

Tregon se lajmin për vrasjen e Klajdit e mori nga djali i tij i vogël i cili ishte i pranishëm në vendngjarje.

“Unë mora në telefon dhe më tha ‘ma morën vëllain në duart e mia’ dhe ai është 18 vjeç dhe po përballet në komisariatet e policisë së Italisë, në funerale po përballet dhe është i vetëm”.

Pas apelit të Agim Bitrit, institucionet e shtetit i mundësuan pajisjen me pasaportë me qëllim udhëtimin e tij në Itali.

Bashkia e Lushnjës ka marrë përsipër dhe transportin e trupit në atdhe.

23-vjeçari Klajdi Bitri jetonte prej 6 vitesh në Itali ndërsa humbi jetën të hënën pasi u qëllua me një pushkë peshkimi nga një 27-vjeçar algjerian.

Klan News