Jorge Messi, babai dhe agjenti i yllit argjentinas Lionel Messi, ka mbërritur në Barcelonë ku do të takohet me drejtuesit e klubit katalanas për të negociuar largimin nga ekipi të djalit të tij.

Në aeroport, ai është pritur nga një numër i madh gazetarësh, të cilët e kanë pyetur për të ardhmen e Messit.

Jorge nuk ka dhënë asnjë detaj, por është shprehur shkurtimisht: “Unë nuk di asgjë”.

Messi nuk ka shkuar në stërvitje dy herët e fundit, duke dhënë kështu sinjale të qarta që kërkon largimin me çdo kusht nga Barcelona. Nga ana tjetër, klubi është i gatshëm t’i ofrojë Messit zgjatje të kontratës deri në vitin 2022 kur është dhe Kampionati Botëror i Katarit.

Kontrata aktuale e Messit me Barcelonën skadon vitin e ardhshëm, por nëse ylli argjentinas dëshiron të largohet duhet të paguajë klauzolën 700 milionë Euro. Lionel Messi pretendon se në kontratë ka një pikë ku thotë që nëse lojtari dëshiron të largohet vullnetarisht, atëherë klauzola 700 milionë Euro bie.

Por Barcelona thotë se kjo pikë në kontratë ishte e vlefshme deri para mbylljes së kampionatit këtë sezon, pra deri në muajin Qershor 2020, dhe ky afat ka përfunduar.

Sidoqoftë, Messi beson se kjo pikë në kontratën e tij është ende e vlefshme kur ai njoftoi klubin javën e kaluar, duke i shprehur dëshirën të largohej vullnetarisht me parametra zero, duke argumentuar se sezoni futbollistik u zgjat deri në Gusht për pandemisë së koronavirusit. /tvklan.al