Studenti 23-vjeçar Reldi Guga humbi jetën tragjikisht mesditën e 11 Prillit pranë tregut të Uzinës Dinamo, ku kishte shkuar për të blerë ushqime.

I riu u godit nga bylyku i një mjeti të tonazhit të rëndë që po dilte nga një kantier ndërtimi aty pranë.

Babai i Reldit, Vladimir Guga, thotë se në polici u thërrit pas një jave. Në një prononcim për emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, z.Vladimir tregon se autoritetet i kanë thënë që vetëm një dëshmitar e ka parë aksidentin.

Spartak Koka: Cili është versioni i ngjarjes që ju ka dhënë Policia e Shtetit?

Vladimir Guga: Në momentin kur kam arritur në spital më vjen një oficer i policisë, më thotë që djali juaj ka qenë duke ecur me biçikletë përdore dhe një kamion trajler ka qenë duke marrë kthesën dhe ka kapur rrotën e mbrapme të biçikletës. Djalit nuk i është dhënë që ta lëshojë biçikletën që të bëjë ndonjë reagim, dhe ndodhi ajo që ndodhi. Këtë informacion kam nga Policia e Shtetit. Ka qenë vetëm një djalë që e ka parë direkt atë, ka dëshmuar dhe në polici ai si e ka parë ngjarjen realisht sipas versionit të tij.

Spartak Koka: Dhe cili është versioni i atij djalit?

Vladimir Guga: Nuk e di, s’kam informacion sepse është marrë në pyetje nga policia.

Spartak Koka: Kamera sigurie ka pasur në vendngjarje, në dijeninë tuaj?

Vladimir Guga: Sipas informacioneve, kur më thirrën në polici pas 7 ditësh, nuk kam pasur asnjë komunikim më përpara as me policinë, as me ndonjë pjesëtar të firmës ku ka punuar shoferi që ka qenë drejtues i automjetit.

Spartak Koka: Policia çfarë ju tha?

Vladimir Guga: Policia më thirrën dhe më morën në pyetje çfarë di për versionin e ngjarjes, nëse njeh ndonjë person që di ose ka parë diçka ose ndonjë që ka ndonjë kamera apo foto që mund të na ndihmojë neve për arsye hetimi.

Spartak Koka: Pra, policia po kërkonte ndihmën tuaj si familjar?

Vladimir Guga: Po po.

Spartak Koka: Përse kërkonin ndihmën tuaj? S’kishin prova të mjaftueshme?

Vladimir Guga: Nuk e di. Aty më thanë që asnjë nga kamerat që ndodhen në atë rrugë aty, as kamera e tregut dhe as kamerat anësore të dyqaneve që ndodhen aty nuk kanë qenë të ndezuara në ato momente. Njëra thanë që është e prishur kurse ajo përballë thanë që nuk e kishte ndezur. Dhe sipas asaj që thanë, kanë pyetur një zonjë aty që kishte dyqanin, dhe ajo paska thënë që nuk pashë gjë se isha duke shitur vetëm kam dëgjuar ulërima. /klanplus