Hakmarrja është pista ku i ka përqëndruar hetimet policia e Lezhës për vrasjen e 64-vjeçarit Gjovalin Prendi në fshatin Pllanë. Kjo për shkak të konflikteve që ka patur djali i tij, Roan Brahimi, që ka mbajtur edhe emrin Sidorel Prendi.

Ky i fundit mbeti i vrarë në një atentat mafioz në Athinë në Maj të vitit të shkuar në Athinë në sytë e djalit të vogël ndërsa u plagos edhe gruaja e tij.

I biri i 64-vjeçarit ka qenë i dyshuar për disa ngjarje të rënda ndaj edhe atentati i së enjtes dyshohet se mund të ketë lidhje me përplasjen mes bandave.

Në atentatin mafioz ndaj Gjovalin Prendit dyshohet se kanë marrë pjesë 4 persona të cilët kanë qenë të armatosur dhe të maskuar. Mësohet se dy prej tyre kanë qëlluar me automatik ndaj 64 vjeçarit, i cili ndodhej në lokalin në pronësi të tij.

“Sipas burimeve automjeti i autorëve, ende i paidentifikuar, ka hyrë dhe është larguar nga zona përmes Urës së Vjetër të Milotit. Në kuadër të hetimeve janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 10 persona, por ende nuk ka të dhëna që të çojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pista kryesore që mbi të cilën po punohet është ajo e vrasësve me pagesë”, raporton gazetari Martin Marku.

Mes të shoqëruarve është edhe personi që ndodhej në të njëjtin lokal me viktimën por as dëshmia e tij nuk i ka ndihmuar hetuesit për të marrë ndonjë informacion për ngjarjen. Janë sekuestruar kamerat e biznesit të 64-vjeçarit dhe mësohet se ato kanë fiksuar automjetin me të cilin kanë lëvizur autorët.

Gjovalin Prendit i është bërë atentat edhe në dhejtor të vitit 2020 ngjarje së cilës i shpëtoi.

Klan News