Në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, ka qenë një baba i quajtur Agron dhe ka rrëfyer problemet që ka me vajzën e tij Rominën 22 vjeç. Aj vuan nga leucemia akute dhe shpenzimet për mjekimet janë shumë të mëdha. Agroni me hallin e tij sjell një realitet shqiptar, të përballesh me kancerin në vendin tonë është e vështirë, mungesa e citostatikëve bën që shumë njerëz për t’u kuruar t’i blejnë vetë, edhe pse në shumë vende të botës të sëmurët me kancer trajtohen falas, ende në Shqiperi kjo gjë nuk është e mundur .

Mirela Milori: Ai momenti që të thanë se Romina është në gjendje kritike, si kaloi, filluat mjekim, apo çfarë?

Agroni: Filluan mjekimin e menjëhershëm, por unë kam punuar që në moshën 16-vjeç. Jam bërë kryefamiljari sepse mamaja më vdiq shumë e re, babai nuk e mbante dot familjen dhe u bëra shtylla e shtëpisë. Ishim shumë fukarenj, në 2018 me kursimet e mia bëra një shtëpi për fëmijët, por ta dija që do i ndodhte kjo Rominës, nuk do e bëja, do i kurseja për vajzën ato lekë. Kjo lloj sëmundje që ka Romina ka shumë harxhime. Herë pas here në spital mungojnë medikamentet që ajo i ka jetike, janë të domosdoshme dhe unë i ble. Vazhdojë nga 200-300 mijë lekë.

Mirela Milori: Sa lekë shkojnë harxhimet e Rominës në muaj?

Agroni: Shkojnë të paktën 1 milion lekë për kurim dhe për ngrënien e Rominës sepse do ushqim të veçantë. Kohët e fundit 3 seancat që ia kam blerë unë Rominës, kanë shkuar 3 milion e 600 mijë lekë.

Mirela Milori: Çfarë ju thonë në spital për mjekimin Methotrexate Pfiezer që mungon?

Agroni: Mungon dhe kaq.

Mirela Milori: Sa kushton në farmacitë private?

Agroni: 15 mijë lekë një flagon. Asaj i duhen 60 flagona për një seancë. Të parat i sigurova në një farmaci këtu, të dytat në Greqi, kam disa njerëz. Kam marrë borxhe. Edhe për seancën e tretë ia kam siguruar, por më mbrapa nuk di se çfarë do bëj.

Mirela Milori: Ne kërkuam në QSUT për këtë mjekim, komunikimi ka qenë me mesazhe dhe unë po lexoj mesazhin. “Më informuan që ilaçi është në procedurë prokurimi, por nuk ka rezultuar e suksesshme për shkak të mungesës së konkurrencës”.

Unë nuk mund të kuptoj se si mund t’i thuhet një pacienti që meqënëse ka mungesë konkurrence, nuk zhvillohet procedura dhe nuk dihet se kur do jetë ilaçi në spital. /tvklan.al