Babai i vrau nënën, flet vajza: Nuk na intereson ku është, i përket të shkuarës

Babai i vrau nënën, flet vajza: Nuk na intereson ku është, i përket të shkuarës

21:45 01/11/2020

Historia e Pranvera Shahollit është tepër e dhimbshme. Në vitin 2018, familja e saj përjetoi një tragjedi. Babai vrau nënën duke lënë jetim 6 fëmijë. I ati u arrestua, ndërsa Pranvera u detyrua të kujdesej për motrat dhe vëllezërit më të vegjël.

Situata në familjen e tyre ishte e rëndë edhe para tragjedisë. I ati dhunonte vazhdimisht nënën, ndërsa kushtet ekonomike ishin të mjerueshme. Për këtë arsye, Pranvera ka qenë e detyruar që të punonte në moshën 14-vjeçare.

Por, pas vrasjes së nënës në vitin 2018, ishte fondacioni “Fundjavë Ndryshe” që u angazhua duke ndihmuar menjëherë Pranverën dhe motrat e vëllezërit e saj. Banesa e tyre u rikonstruktua nga e para me kushte bashkëkohore jetese.

Sot Pranvera është një histori suksesi. Ajo ishte e ftuar në emisionin “Historia e Fundjavës” nga Mirela Milori në Klan Plus.

Pranvera tregon se si e kujton periudhën e zymtë kur kthen kokën pas. Sa i përket babait që ndodhet në burg, për atë thotë se nuk e takuar dhe nuk ka interes ndaj tij.

Pranvera: Unë tani jetoj bashkë me motrat dhe vëllain, rrimë së bashku, kemi një jetë normale si krejt të tjerët. Mundohemi për më mirë gjithmonë, duke marrë parasysh dhe punën dhe shkollën njëkohësisht.

Mirela Milori: Keni të afërm që ju ndihmojnë?

Pranvera: Dajat janë shumë larg, jetojnë në Suedi, kurse kemi tezen këtu afër që na gjendet shumë herë pranë.

Mirela Milori: Babai është në burg apo jo? E keni takuar? Shkoni?

Pranvera: Jo jo as nuk na intereson fare se ku është, çfarë bën…

Mirela Milori: Ai ka tentuar t’ju takojë?

Pranvera: Jo asnjëherë, nuk kemi pasur asnjë lloj informacioni.

Mirela Milori: Po me njerëzit e babit bëheni?

Pranvera: Kemi vetëm gjyshin në shtëpi. Edhe me hallën kemi kontakte të mira.

Mirela Milori: Ata janë distancuar nga babai juaj apo shkojnë e takojnë aty ku është?

Pranvera: Mesa di unë, gjyshërit venë. Halla jeton larg, edhe ajo në Greqi, nuk është se ka mundësi të shkojë ta takojë. Kurse njerëzit e tjerë nuk e di, thjesht nuk më intereson se çfarë bëjnë. Mjafton që ai të mos jetë më pjesë e jetës tonë dhe kaq.

Mirela Milori: Është një histori që e keni lënë pas, e ke hedhur pas krahëve sepse tashmë je studente, ke një perspektivë tjetër. Megjithatë, kur ti flet me motrat e tua, me vëllain tënd, ju kthehet ndonjëherë ajo histori apo i përket së shkuarës?

Pranvera: I përket të shkuarës. Normal që mamin e kemi gjithmonë në zemër dhe kudo që shkojmë dhe çfarëdo që bëjmë e kujtojmë, edhe na vijnë ndërmend gjithmonë ato shprehjet e saj për të na motivuar.

Mirela Milori: Çfarë është një këshillë e mamit që ty të del gjithmonë përpara?

Pranvera: Thjesht mos ia ul kokën askujt dhe vazhdo përpara me ato çfarë ke në ëndrrat e tua. Edhe kur lutem, i lutem dhe Zotit dhe mamit lart. /tvklan.al





Të ngjashme