Për 45 vjet, Lucy Studey i ka rrëfyer kujtdo që mund ta dëgjonte se babai i saj ishte një vrasës serial i cili e detyronte të bijën ta ndihmonte me groposjen e kufomave. Askush nuk e besonte. Qentë zbulues tashmë kanë piketuar mbetje të dyshuara njerëzore në vendet që Lucy identifikoi diku në Iowa, janë shprehur hetuesit për “Newsweek”.

Unë e di ku janë varrosur trupat”, tha Lucy e cila kujtoi se si i ati i saj, Donald Dean Studey udhëzonte fëmijët e tij ta ndihmonin me transportin e trupave duke përdorur një karrocë dore në verë dhe një slitë të thjeshtë në dimër.

Ai na thoshte thjesht që duhej të shkonim te pusi dhe unë e dija se ç’do të thoshte kjo. Sa herë shkonim te pusi ose në kodra, nuk mendoja se do zbrisja. Mendoja se do më vriste sepse nuk e qepja gojën”, thotë Studey.

Teksa ai hidhte trupat në pus, ata hidhnin dhe e sodë kaustike mbi ta.

Nëse hetimet do vërtetojnë deklaratat, babai i Lucy mund të jetë një nga vrasësit serialë me më shumë viktima në historinë e SHBA-ve. Ajo beson se babai i saj është përgjegjës për vrasjen e 50-70 vajzave të reja në 3 dekada. Donald ndërroi jetë në Mars të vitit 2013 në moshën 75-vjeçare.

Shumica e vajzave kishin flokë të errët, thotë ajo. Të gjitha ishin të bardha dhe mendon se pjesa më e madhe, përveç një 15-vjeçareje, ishin rreth të 20-ave apo 30-ave. “Gërmo,  gërmo, gërmo”, përsëriste Studey në vendngjarje teksa qentë e trajnuar shkonin në vendet ku ajo ka deklaruar se ndodhen kufomat, në një fushë prej 2 hektarësh.

Studey shton se vajzat ishin punonjëse seksi ose të arratisura nga qyteti pranë, Omaha, Nebraska. Por autoritetet e kanë të vështirë ta besojnë historinë e saj. “Nëse do kishim 70 njerëz të humbur nga këto zona, do e kishim vënë re. Ndaj nëse janë 70 persona, nuk janë të gjithë prej këtej”.

Babai i saj nxehej shpejt dhe pinte, i qëllonte me thikë ose pistoletë, por metoda e tij e preferuar e vrasjes ishte duke i përplasur kokën vajzave brenda një ruloti që kishin në pronën e tyre. Nuk dihet nëse fëmijët e tjerë kanë bashkëpunuar për vrasjet. Vëllai i saj u vetëvra në moshën 39-vjeçare.

Një prej motrave i hedh poshtë akuzat e Lucy: “Babai im nuk ishte burri që përshkruan ajo. Do ta dija nëse babai im ishte një vrasës serial. Nuk ishte dhe dua që emri i babait tim të pastrohet”, tha Susan Studey./tvklan.al