Në rubrikën “Shihemi në Gjyq” ka qenë Myzejeni dhe Kujtimi, nuse dhe vjehërr, ku kanë një problem në lidhje me një pishinë që ata kanë hapur si familje. Kur shkoi nuse tek shtëpia e burrit, ajo gjeti një pishinë të ndërtuar, por ishin në borxh rreth 100 milionë.

Ajo iku në Greqi për të punuar dhe për të larë borxhet, ku humbi dhe fëmijën e parë duke punuar ditë-natë. Vjehrri i thotë të kthehen nga Greqia sepse do i lerë pishinën, por ajo shprehet se nuk i ka dhënë as pishinën dhe tani dëshiron që t’i nxjerrë dhe nga shtëpia.

Myzejeni shprehet e revoltuar se një djalë e mban brenda në shtëpi dhe tjetrin kërkon ta nxjerrë jashtë duke i futur në sherr.

Myzejeni: Unë dua Lekët e mia, që ka derdhur çuni dhe Lekët që kam punuar unë atje dhe kam derdhur djersë. Erdha nga Greqia, ndërtova shtëpinë dhe po ma merr.

Kujtimi: Nuk të vjen zor nuse që më solle këtu?

Myzejeni: S’të vjen turp ty që po i le çunat të vriten.

Trualli ku është ndërtuar kjo pishinë ka qenë në emër të të gjithëve, por më pas ia vunë në pronësi të vëllait të madh që mos përfundonte në burg, për një problem ligjor që kishte të bënte me ndërtim pa leje. Pasi t’i shpëtonte burgut, Arenci, vëllai i madh do e kthente truallin në pronësi të të gjithëve, por kjo gjë nuk ndodhi, madje ai i kërkon të gjithëve të dalin nga ky truall.

Myzejeni dhe burri i saj Genci kanë ndërtuar shtëpinë e tyre në ambientin e pishinës, por Arenci pretendon se ato janë dhoma veshje dhe i kërkon të largohen nga kjo pronë se ndryshe do ketë pasoja.

Kujtimi pretendon se pishina është e të gjithëve, por problemi qëndron se është pa letra dhe trualli ku është ndërtuar kjo pishinë është në emër të Arencit, ku thotë që të prishet gjithçka dhe do dua truallin e lirë siç ka qenë.

Myzejeni thotë si mund të prishet ky biznes ku të gjithë paranë e jetës së saj e ka hedhur në këtë biznes. Kujtimi edhe pse nuk ka asnjë pronësi në dorë, vazhdon të shprehet se kjo pronë do jetë në emër të të gjithëve.

Eni Çobani bën një telefonatë me Arencin, vëllain e madh të familjes, por ai shprehet që mos ta bezdisinë më sepse është në një proces gjyqësor dhe këtë e vendos shteti. /tvklan.al